E Diel, 1 Nëntor 2026

Eliminohet Rezarta Smaja, në garë dhe 6 konkurrentë

Shkodrania Rezarta Smaja u shtohet tre të eliminuarave të tjera para saj, Evin Thanës nga Prizreni, Simona Karafilit nga Kavaja, si dhe Xhensila Myrtezait nga Tirana. Ajo ishte vajza që u eliminuar mbrëmë nga "Ethet", pas votimit të publikut nga Shqipëria e për herë të parë edhe nga Kosova. Kështu, me katër të eliminuar, faza finale e "Etheve" i është afruar gjysmës së saj. Sepse ka ende dhe 5 javë të tjera deri në natën e madhe finale. Me afrimin e saj shtohen emocionet, si dhe ethet sigurisht. Por shtohen në perfeksion dhe të tjerë elementë. Më kryesor dhe evident është avancimi i kualitetit të të interpretuarit nga ana e etheistëve. Kjo e bën tejet të pamundur dallimin e diferencës mes tyre në të kënduar. Ndaj, bëhet fjalë vetëm për gabime shumë të vogla, të cilat ose të rrëzojnë, ose të mbajnë ende "në fushën e lojës" (skenë). Fjalën e fundit e ka publiku, me votimet që bën, por impaktin kryesor mbi të e ka juria që jep gjykimet për çdo konkurrent. Fjalët e çdo anëtari peshohen në mënyrë farmaceutike në funksion të krijimit të një opinioni para votimit. Publiku merr nga juria atë që vetë nuk e përcakton dot veçse në mënyrë empirike dhe duke mbetur gjithnjë në pozita subjektive, ose parapëlqyese. Ndërsa juria është ajo që vë nota me gjykim tërësisht të kulluar dhe me gjuhë profesionale. Mbrëmë, moderatori Krasta u tha anëtarëve të jurisë se duhet të shmangin sa të munden atë pak dashamirësi që eksiton gjithsesi në një përqindje normale te çdo njeri. "Të shmangin dashamirësitë, tha Krasta, sepse me afrimin e finales, me shtimin e konkurrencës, gjykimet dhe opinionet e jurisë duhet të jenë më të prera". Dhe pas këtij momenti, një nga anëtarët e jurisë, maestro Alfred Kaçinari, tha se gjykimi jepet për dy aspekte: për anën teknike ku përfshihet cilësia vokale, regjistri, saktësia e notave, e tonalitetit, si dhe për anën emocionale e të interpretimit. Ndërkohë, praktika e punës është që disa nga anëtarët e jurisë, sidomos maestrot Kaçinari e Saraçi, si dhe regjisori e kantautori, Bojken Lako, punojnë gjatë gjithë javës me konkurrentët e mbetur në studiot e "Top Record"-s. Ata njohin në mënyrë të imtësishme dhe të detajuar cilësitë e çdo konkurrenti, duke njohur kështu dhe dobësitë e tyre. Dhe, kur vjen çasti i skenës, të gjitha thuhen hapur dhe kjo është dhe pjesa më spektakolare e spektaklit, bashkangjitur momenteve me valencë të lartë emocionale, siç është fundi i çdo nate, kur dikujt i bie "letra me vrimë", për të mos e vijuar më tej konkurrimin. Ka shumë lot sigurisht, edhe "pse" ka shumë patjetër, por e nesërmja është gjithnjë një ditë e re, që nuk ka lidhje me "natën" e një nate më parë, ku humbësit (në rastin konkret humbëset, shkrehen në lot). Veç rastit të parë, ku kosovarja Thana e përcolli lehtësisht, buzagaz dhe me shumë falënderime skualifikimin, pasardhëseve të saj me të njëjtin fat, Karafili dhe Myrtezai, gati sa nuk u ra pika në momentin që Krasta i veçoi duke iu thënë: "Ju nuk e vazhdoni konkurrimin"! Por edhe pse me shumë tronditje e lot pa kursim, të nesërmen vajzat e kanë vijuar ditën me normalitetin e zakonshëm, me dëshpërimin e hedhur pas shpine. Dhe tronditjes së një nate më parë ia ka lënë vendin një "falënderim" i thellë dhe i sinqertë për të gjithë: spektatorin, jurinë, Adi Krastën e pa dyshim "Top Channel". Veç kësaj, stafi i spektakleve në "Top Channel" ka vendosur që të 10 finalistët e etheistëve t‘i angazhojë dhe promovojë në të gjitha entet muzikore të televizionit. Përveç prezencës së secilit në "Selekt", interpretimet e tyre do të përmblidhen në një CD të realizuar në studiot e "Top Record"-s. Po ashtu, për dhjetëshen etheiste është ofruar "gratis" dhe një vend pjesëmarrjeje në "Top Fest", i cili konsiderohet si eventi më i rëndësishëm muzikor i vitit për muzikën moderne shqiptare.

Duke qëndruar sërish te spektakli, ajo që i veçon "Ethet 4" është komponentja e lartë artistike, sidomos në skenografi, ndriçim, e transmetim televiziv, ku bie në sy shkalla e lartë e teknologjisë audiovizuale që zotëron "Top Channel". Për këtë arsye, transmetimi televiziv është ndër më cilësorët dhe spektakolarët, meritë kjo dhe e regjisë së mjeshtrit Pali Kuke. Ethet do të vijojnë dhe 5 të diela të tjera në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe në transmetim direkt në "Top Channel".

Konkurrentët

Vijojnë garën:

Kejsi Tola - Tiranë

Marjela Billa - Tiranë

Himena Ymeri - Tiranë

Fatlum Zeka - Prishtinë

Dorina Xërxa - Gjakovë

Dorina Garuci - Shkodër

-----------------------------

Janë eliminuar:

Evin Thana - Prizren

Simona Karafili - Kavajë

Xhensila Myrtezai - Tiranë

Rezarta Smaja - Shkodër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›