E Diel, 1 Nëntor 2026

"Miku im Armand" dhe derbi i gabuar

Disa ditë më parë kemi parë në ekran shefin e UEFA-s, Mishel Platini. Ai shfaqet shpesh, por kur flet për "derbin shqiptar" midis Federatës dhe Shtetit bëhet më ndjellës për ne. Mishel në një intervistë të improvizuar shpejt e shpejt ka përsëritur shpesh: "Miku im Armand, miku im Armand". Dhe pastaj atë fjalinë klasike se "shteti nuk duhet të ndërhyjë në futboll". Thonë se Platini, për ata shefa të cilëve u ka marrë votën kur u zgjodh shef i UEFA-s, me përkëdheli u thotë "miku im", ndërsa për të tjerë që kanë votuar kundër nuk ka "miku im".

Cilido qoftë fati i "derbit" midis futbollit dhe politikës, Platini kujton ditët e bukura në Shqipëri, kur futbolli dhe politika putheshin pa u skuqur edhe në sytë e UEFA-s. Një kujtim i rrallë i Mishelit, vite më parë, kur ish-futbollisti 3 herë fitues i Topit të Artë, si zyrtar ka fjetur në dhomën e Mbretit. Po, po, është e vërtetë se francezi u akomodua në Pallatin e Brigadave, pikërisht në krevatin e Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut. Një mbret i futbollit në një pallat mbretëror! Atëherë ishte politika një bamirëse e madhe për futbollin. Kujtohet edhe një batutë e Platinisë, kur e pyetën se si kishte fjetur në dhomën mbretërore: "Ishte aq e madhe, sa tërë natën kam gjuajtur vetëm ence!" Por vetë Mishel, si edhe shefat e tij nuk treguan kureshtje që politika ishte afruar kaq shumë me futbollin… sa të "lironte" edhe krevatin. Dikush mund të pyesë se cila është e keqja? E kemi mësuar se afrimet e mëdha sjellin edhe largimet e mëdha. Futbolli gjithnjë ka qenë një lojë të cilën shtetarët e kanë luajtur me një rregullore ndryshe: një top për vete dhe një top tjetër, pak më i vogël për këta të sportit. Edhe pse është larg, mister Platini këtë e di fort mirë, sepse kjo nuk ndodh vetëm te ne.

Ata që e ndjekin nga afër thonë se Platini zyrtar nuk është aq apolitik sa Platini futbollisti. Në pozicionin e shefit, nxënësi i profesor Blaterit tregohet shumë diplomat. Ndaj kur shprehet: "Miku im Armand duhet të qetësohet sepse fati i tij nuk varet nga shteti", duket i besueshëm. Por vite më parë, sapo ndizej "derbi" mes politikës dhe futbollit, në Rinas shfaqej herë Johansoni e herë Aigner. Deklarata e shefit të UEFA-s në distancë, por me fjalët e përzemërta "miku im", mund të merret si një goditje dënimi, ku topi fluturon si "gjethi i thatë" dhe portieri nuk di çfarë të bëjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›