Energjia, Bullgaria mes Rusisë dhe Perëndimit
Bullgaria pranoi ofertën e Rusisë për ndërtimin e gazsjellësit, i cili do të forcojë pozitat e Moskës në furnizimin e Evropës me energji. Qeveria bullgare pranoi që gazsjellësi "Rryma e Jugut" të përshkojë vendin. Projekti "Rryma e Jugut" konsiderohet si rivali i gazsjellësit "Nabuko", i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, zyrtarët evropianë janë të mendimit se projekti rus nuk do të cenojë perspektiven e "Nabukos". Në Sofje ndodhet aktualisht Presidenti rus, Vladimir Putin, i shoqëruar nga Dimitri Medvedev, kreu i gjigantit Gazprom, njëherësh dhe kandidati për postin e kreut të Kremlinit. Rryma e Jugut kushton 10 miliardë euro dhe është zhvilluar nga Gazprom e firma italiane e energjisë ENI. Është 900 km. Do të kalojë nga Deti i Zi, përshkon Bullgarinë për të mbërritur në tregun e Evropës së Jugut. Rusia ofron një nyje edhe për aleatin e saj, Serbinë.
Lufta
Beteja për tregun e energjisë në Evropë pritet të marrë dimensione të reja pas vizitës së Presidentit rus, Putin, në Bullgari dhe marrëveshjes për ndërtimin e gazsjellësit "South Stream". Ky projekt që synon të transportojë gazin nga brigjet e Kaspikut në Itali nuk shihet me sy të mirë nga Bashkimi Evropian. Ekspertët e BE-së e konsiderojnë projektin "South Stream" si një vepër që përforcon më shumë monopolin rus në tregun energjetik evropian, duke rritur më tej varësinë e Evropës nga Rusia. "South Stream" ka një kapacitet prej 30 miliardë metër kub gaz në vit. Ai fillon në pjesën ruse të Detit të Zi dhe përshkon një distancë prej 900 kilometrash nën ujë deri në Bullgari. Për të transportuar gazin nga Bullgaria në Itali ekzistojnë dy variante, për të cilat ende nuk është vendosur se kush do të jetë përfundimtari. I pari është ai përmes Greqisë, ndërsa varianti i dytë përshkon Rumaninë, Hungarinë dhe Slloveninë për të përfunduar më pas në Italinë veriore. Por për t‘ju kundërpërgjigjur përpjekjeve të Rusisë, Bashkimi Evropian vendosi të mbështesë një tjetër projekt për të sjellë gazin e lindjes në Evropë. I pagëzuar me emrin "Nabuko", ky projekt konsiderohet si një prioritet i Bashkimit Evropian. Gazsjellësi fillon në Turqi dhe përfundon në Austri. Ai parashikohet të jetë rreth 33000 kilometër i gjatë, me një kapacitet vjetor prej 25-31 miliardë metër kub gaz. Të dy gazsjellësit synojnë të furnizojnë tregun evropian të energjisë.