Fluturime, Bell Air kryeson tregun
Ndonëse është ndër kompanitë më të reja fluturuese në Shqipëri, "Bell Air" ia ka dalë shumë mirë të jetë në krye të listës, pasi me avionët e saj kanë fluturuar më shumë se 24 për qind e totalit të udhëtarëve. Kompania me kosto të ulët u themelua në Tiranë në maj të vitit 2007. Kjo ecuri e fortë e saj në treg u favorizuar nga ndjeshëm edhe nga pezullimi i aktivitetit të kompanisë tjetër "Loë Cost", "Albatros", e cila deri para 1 viti e gjysmë ishte mjaft aktive në tregun e fluturimeve me kosto të ulët. Në fakt dalja nga tregu e Albatros u lidh në atë kohë me presionin që po i bëhej presidentit të atëhershëm, Alfred Moisiu për të shkarkuar kryeprokurorin, Theodhori Sollaku, pasi ish-Presidenti, kishte lidhje farefisnore me pronarët e Albatros. Pas "Bell Air" në vend të dytë u rendit "Alitalia" me 20%, "Albanian Airlines" 14%, "Austrian Airlines" 9% dhe "Turkish Airlines" 5.3%. Prej disa vitesh numri i pasagjerëve që fluturojnë përmes Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza" vazhdon të rritet me ritme të shpejta. Kjo favorizohet edhe nga fakti se aktualisht ky aeroport është porta e vetme hyrëse në Shqipëri për fluturimet ndërkombëtare. Ndonëse qeveria demokratike premtoi kur erdhi në pushtet se do të hiqte ekskluzivitetin e kompanisë për fluturimet ndërkombëtare, ende sot Aeroporti i Rinasit vazhdon të jetë mundësia e vetme për shqiptarët për të lëvizur përtej kufirit.
Rekord udhëtimesh
Aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" po përjeton një bum udhëtimesh, duke shënuar rekorde të reja nga viti në vit, e ndihmuar kjo edhe nga fakti se aktualisht është e vetmja portë hyrëse për në Shqipëri për fluturimet ndërkombëtare. Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit të kaluar, numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes këtij aeroporti arriti në 1.1 milionë. Ndërsa volumi i mallrave ishte 3 mijë e 483 tonë. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i pasagjerëve u rrit me 22 për qind, ndërsa vëllimi i mallrave me 65 për qind. "Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përjetoi një vit të jashtëzakonshëm dhe ne jemi shumë të kënaqur t‘ju njoftojmë se 2007-ën e përfunduam me një rekord historik pasagjerësh. Ne jemi të sigurt se do të vazhdojmë të mbajmë normat e rritjes në nivele të larta", u shpreh Andrea Gebbeken, drejtoreshë ekzekutive e përgjithshme e TIA-s. Numri i fluturimeve në këtë aeroport për vitin e kaluar llogariten në mbi 18 mijë e 200 nga rreth 15 mijë e 600 që ishte një vit më parë. Viti i kaluar, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përmbylli disa investime kyçe në përmirësimin e infrastrukturës, ndër të cilët shënohet hapja e terminalit të ri të pasagjerëve. Finalizimi i këtyre projekteve u shoqërua nga arritje të larta në paraqitjen e biznesit të kompanisë. Më 6 dhjetor 2007, numri i pasagjerëve që kaluan përmes aeroportit e tejkaloi numrin e 1 milion pasagjerëve për herë të parë në historinë e transportit ajror në Shqipëri. Gushti ishte muaji me shifrën më të lartë të udhëtimeve, konkretisht me 150657 pasagjerë dhe 1976 lëvizje të trafikut ajror (ATM) të menaxhuara, krahasuar me 130351 pasagjerë dhe 1,696 ATM për gushtin e vitit 2006. Aktualisht, 14 kompani fluturimi ofrojnë fluturime nga/për në TIA, duke lidhur kështu përmes fluturimeve direkte kryeqytetin shqiptar, Tiranën, me 30 destinacione.
Rritja
Në vitin 2006, numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes këtij aeroporti ishte rreth 906 mijë. Vetëm për një vit, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në këtë aeroport është rritur me mbi 200 mijë vetë. Kjo, në një kohë që në vitin 2005 shifra e pasagjerëve në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" ishte vetëm 705 mijë të tillë. Arritje u shënuan edhe në numrin e lëvizjeve të trafikut ajror (ATM), ku u pa një rritje prej 15 për qind krahasuar me shifrat e 2006-ës. Numri i udhëtimeve përmes aeroportit vazhdon të shënojë rritje të fortë nga njëri vit në tjetrin. Madje, drejtuesit e aeroportit njoftuan se shumë shpejt do të fillojnë punën për zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të aeroportit.