E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat izolojnë Iranin

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, po merr nga gjigantët ndërkombëtarë të bankingut atë që nuk arriti të marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kështu raportonte një ditë më parë Bloomberg në lidhje me situatën e vështirë që po kalon Irani për sa u takon lidhjeve të tija financiare me Perëndimin. Zyrtarët e lartë amerikanë po këshillojnë bankat të mos i japin hua Iranit nën pretekstin se ky i fundit është duke financuar terrorizmin dhe po kërkon të blejë ekspertizën për të ndërtuar bombën atomike. UBS AG dhe "Deutsche Bank" janë duke kërkuar norma më të larta interesi për të dhënë kredi për Iranin. Por kjo po ndodh thuajse me të gjitha bankat e tjera të fuqishme botërore, si pasojë e ndërhyrjes së administratës së Presidentit Bush. Kjo lloj embargoje po dëmton industrinë iraniane, duke vështirësuar blerjen e makinerive dhe teknologjinë moderne. Përpara dy vjetësh, numri i institucioneve, me të cilat Banka e Saderatit, një më të mëdhatë në Iran, kryente transaksione ishte 29. "Mungesa e kredive nga bankat e huaja e ka vështirësuar importin e mallrave në Iran", thonë analistët financiarë ndërkombëtarë. Po kështu, edhe eksportet. Sipas të dhënave zyrtare për 9-mujorin e parë të vitit 2007 eksportet iraniane ranë me 20 për qind, duke arritur në 3.8 miliardë euro. Bllokada që vendet e zhvilluara po i bëjnë Iranit, e ka detyruar këtë të fundit të blejë makineri dhe pajisje më inferiore në tregje të tjera si Kina apo Rusia. "Bankat më të mëdha tashmë e kanë marrë mesazhin. Në Iran nuk bëhet biznes", thotë Serge Steiner, zëdhënës i grupit bankar zviceran UBS, banka më e madhe evropiane për nga aktivet. "Deutsche Bank" gjithashtu ka filluar që në korrikun e vitit të kaluar të tërheqë gjithë aktivitetet e saj në Iran.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›