E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplanti i veshkave, fillon ndërtimi i sallës speciale në QSUT

Realizimi i projektit të transplantit po shtyhet në kohë. Profecia e mjekut italian, që theksoi se nuk do të ketë asnjë ndërhyrje nëse shëndetësia shqiptare nuk plotëson kriteret e nevojshme, u përmbush. Deri tani nuk është kryer asnjë transplant sipas deklaratave të bëra gjashtë muaj më parë nga dy përfaqësitë e shtetit tonë dhe shtetit italian. Sipas projektit, muaji janar do të shënonte edhe një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare, realizimin e transplantit. Ndërsa spitali turk në Tiranë po vazhdon të kryejë normalisht transplantin, në spitalin shtetëror puna për ndërtimin e infrastrukturës do të përfundojë vetëm në fund të muajit shkurt, fillim të muajit mars.

Salla ku mendohet të bëhet ndërhyrja do të jetë në katin e dytë, në urgjencën e kirurgjisë. Vendi i përcaktuar tashmë si salla ku do të kryhet transplanti duhet të përmbushë të gjitha kushtet si sallat e ngjashme në spitalet e vendeve fqinje, që tashmë e kryejnë ndërhyrjen prej vitesh. Ndërsa prej pesë muajsh janë lëvruar fondet e para për blerjen e aparaturave të nevojshme, të cilat do të shërbejnë për realizimin e transplantit të veshkave.

Në kuadër të projektit, pala italiane ka vënë në dispozicion 500 mijë euro për blerjen e aparaturave që konsistojnë në pajisje për laboratorin e imunologjisë në QSUT, të cilat do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për dhuruesin e veshkës dhe pacientin, si një ndër garancitë më të domosdoshme për kryerjen e ndërhyrjes, si dhe një pajisje e nevojshme për sallën e kirurgjisë për kryerjen e operacionit. Ajo që është më e rëndësishmja për procesin e realizimit të transplantit të veshkës, është sjellja e një aparature të veçantë EKO-je, e cila vëzhgon deri në imtësi ndërhyrjen kirurgjikale që do të realizohet te pacienti. Gjithashtu, pjesë e projektit është edhe blerja e aparaturës së matjes së medikamenteve në gjak të pacientëve dhe pajisjen për monitorimin e të sëmurëve pre-post operacional, e cila do të mbikëqyrë gjendjen shëndetësore të të sëmurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›