Turizmi, Shqipëria rekomandohet nga agjencitë ndërkombëtare
Pavarësisht problemeve të shumta infrastrukturore dhe ato me energjinë, Shqipëria duket se po zë gjithmonë e më shumë vend në arenën ndërkombëtare të turizmit. Agjencia e njohur amerikane e turizmit, "Shermans Travel", ka rekomanduar Shqipërinë si vendin me ambientin më të qetë për të kaluar pushimet turistike. "Shqipëria është një alternativë shumë më e mirë se mjaft vende të tjera, të cilat gjatë verës mbipopullohen nga turistët", thuhet në paketën rekomanduese të kompanisë. Plazhet e virgjëra shqiptare janë vlerësuar në një nivel të lartë nga kompania amerikane pikërisht për këtë arsye. Sipas Shermans, udhëtarët mund të marrin shumë rreze dielli në Shqipëri dhe të evitojnë turmat e mbipopullimin e plazheve tashmë popullore. Kjo, sipas agjencisë amerikane, do të thotë se Shqipëria është një opsion i mirë për të investuar në tregun e pasurive të patundshme, për ata që nuk duan t‘i blejnë ato në tregjet turistike të stabilizuara. Shqipëria u rendit së fundmi nga "Foreign Property Buyer", njëra nga kompanitë më të njohura në fushën e pasurive të paluajtshme, si një vend mjaft interesant për të investuar.