Shkolla të kompjuterizuara, përurohet kabineti
Çdo shkollë në vend do të ketë kabinet kompjuteri me internet. Dje ishte radha e shkollës së mesme, "At Shtjefën Gjeçovi" në qytetin e Laçit. Në një ceremoni të veçantë, Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, inauguruan "TIK-KAB, 379" në këtë gjimnaz.
Ata premtuan se nuk do të ketë shkollë pa kompjuter në asnjë qytet të vendit. Një projekt ky i madh për informatizimin e shkollave i nisur që në vitin 2005. "Është një nevojë e madhe e jona që teknologjinë e informacionit ta përdorim në çdo sferë të jetës. Pa e realizuar këtë, ne nuk mund të themi se Shqipëria ka hyrë në shekullin e 21", kështu u shpreh ministri Pollo.
Po sipas tij, viti 2008 do të jetë viti i pajisjes së shkollave bazë me TIK-Kabinete. Ndërsa në kurrikulën e këtij sistemi arsimor, për herë të parë do të implementohet edhe lënda e informatikës në klasat 6-9, në mënyrë që nxënësit të mund të marrin në shkollë atë që marrin në internet-kafetë dhe në kurset private të prindërve. Për implementimin e plotë të projektit TIK-shkolla, Ministria e Arsimit po punon edhe për trajnimin e mësuesve të informatikës.
Është një investim prej miliona eurosh i disa donatorëve dhe qeverisë shqiptare. Ky program ka mobilizuar: qeverinë kineze, qeverinë italiane dhe sektorin privat në vend, ku përfshihen Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, "Western Union", SOROS, "Raiffeisen Bank", Shoqata e Bankave, UFO University, "Isseti". Ndërsa rreth 60 për qind e projektit është përballuar nga buxheti i shtetit.