Engjëlli kloun
Miloud Oukili ishte 20 vjeç kur erdhi në Bukuresht në vitin 1992 me shoqërinë e artistëve që organizonte shfaqe cirku në spitale dhe jetimore. Do të qëndronte një muaj, por në fakt, ndenji 12 vjet. Ai kishte zbuluar "boskettari" - mijëra fëmijë që i jetojnë ditët e ftohta të dimrit në tunelet e nëndheshme të qytetit dhe në verë flenë në pyje mbi drurë - dhe kishte dëgjuar urgjencën për të bërë diçka. Filloi të afrohej me fëmijët, duke i tërhequr me fytyrën e tij prej klouni dhe mrekullitë e aftësive të tij prej magjistari, derisa i bëri të kalonin dyshimet e t‘u kthente besimin. Përfundimi është se sot janë të paktën mbi 900 fëmijë që Milous ka nxjerrë nga ajo skëterrë dhe i ka sistemuar në jetimore.
Kur Marco Pontecorvo, një nga fotografët më të shquar të kinemasë italiane, lexoi historinë e Miloud, mendoi se mund të realizonte filmin e tij të parë si regjisor. "E kërkova Miloud-in përmes internetit, u takuam në Romë, më pas në Paris dhe në fund shkuam në Bukuresht. Aty duke xhiruar natë e ditë në tunelet e nëndheshme të qytetit me të dhe fëmijët vendosa që të bëja filmin e parë". Iu desh pak kohë për të realizuar ëndrrën e tij, por në fund ia arriti qëllimit. Filmi titullohet "Clown" dhe është prodhuar nga "Panorama Films" në bashkëpunim me "RaiCinema". Pjesa më e madhe e xhirimeve që ka nisur në shtator të këtij viti janë bërë në Bukuresht. Ditët në vazhdim do të bëhen edhe ato pak pjesë që kanë mbetur në Paris, aty ku jeton Miloud, francezi me origjinë algjeriane.
"Nuk mund ta besoja se në vitin 2001, pesë mijë fëmijë jetonin në tunelet e nëndheshme të qytetit, në të cilat rrjedh ujë i ngrohtë. Jashtë temperaturat janë 20 gradë nën zero, në kanale ajri është mbytës, i lagësht dhe kundërmon erë e keqe. Miloud, edhe pse është mësuar me këtë zakon, duke dalë nga tunelet zakonisht vjell. Por gjërat që më kanë tërhequr më shumë tek ai, janë magjia e cirkut dhe këmbëngulja e tij, që kundra mijëra vështirësish, pati forcën të besonte në një ëndërr dhe e realizoi atë", tregon regjisori.
Kush janë sot fëmijët që jetojnë në kanale?
Shumica prej tyre nuk janë më fëmijë, ishin kur shpërtheu ky fenomen, pas rënies së Çausheskut, i cili i kishte inkurajuar rumunët për të bërë shumë fëmijë për t‘ia besuar më pas shtetit edukimin e tyre në institute të ndryshme. Pas mbarimit të regjimit, institutet humbën subvencionin, fëmijët u arratisën, disa u rikthyen te familjet e tyre, ndërsa pjesa më e madhe u strehuan në tunelet e nëndheshme të qytetit. Këtyre personave u bashkohen çdo ditë edhe fëmijë që mundohen të ikin nga varfëria, jetimoret dhe familjet e dhunshme. Autoritetet nuk japin shifra të sakta, por të paktën një milion fëmijë jetojnë nën tokë. Pas hyrjes në BE, qeveria premtoi se do t‘i mbyllte të gjithë këto "varre", por duket se është një punë e pamundur, pasi numri i këtyre tuneleve është shumë i madh. Për më tepër, shumë fëmijë nuk duan të heqin dorë nga ndjesia për të qenë të lirë.
Çfarë tregon filmi?
Që nga eksperiencat e para të Miloud te lufta për të gjetur ndihma ndërkombëtare, e suksesi i parë i madh, fondacioni "Parada", që i mirëpret fëmijët në jetimore, duke u dhënë mundësinë për t‘u shkolluar e për të mësuar një punë. Gjithashtu, në film tregohet mënyra e jetesës, ku shpesh fëmijët, vajza e djem janë viktima të pedofilisë. Në film kam përdorur shumë "boskettari", ku disa prej tyre tregojnë histori dhune të tmerrshme. Mënyra e tyre për të kaluar vështirësitë është përdorimi i një boje vaji me çmim të ulët: në film vihen re fëmijë që e nuhasin dhe bien në një gjendje gjumi. Fatkeqësisht, është një substancë që prek jo vetëm qendrat nervore, por ndalon edhe rritjen. Për shembull ka adoleshentë që gjatësia e trupit të tyre është sa ajo e një fëmije 5 vjeç.
Keni hasur vështirësi gjatë xhirimeve në Bukuresht?
Nuk mendoj se autoritetet rumune janë ndier krenare për filmin. Pak vite më parë kishin tentuar të ndalonin punën e Miloud, duke e akuzuar për pedofili, madje e kishin detyruar të braktiste vendin. Ai nuk u dorëzua, por me ndërhyrjen e diplomacisë u vërtetua se akuzat ishin false. Në film luan edhe ambasadori francez. Protagonisti është Jalil Lespert. E kisha parë në filmin "Shëtitjet në fushën e Marsit" dhe "Burimet njerëzore".
Miloud ka qenë i mrekullueshëm kur u shndërrua në një kloun. Të gjitha personazhet janë marrë nga realiteti dhe Miloud është mjaft i kënaqur për këtë.
Sipas jush, cili ka qenë mësimi më i rëndësishëm i Miloud?
U ka mësuar fëmijëve të kenë respektin për veten, për të tjerët dhe veçanërisht për realitetin.
Po mësimi që ju ka dhënë babai juaj?
Thjeshtësia, sensi i limitit dhe vëmendja ndaj realitetit: nuk duhet tradhtuar kurrë.