E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, akuze 200 zyrtareve

Misioni i qeverisë "Lufta ndaj korrupsionit" ka bërë të mundur që Kryeministri Berisha të firmosë pushimin nga puna gjatë këtij viti për 300 nëpunës të administratës. Jo vetëm kaq, por edhe shërbimi i kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka marrë masa disiplinore për 100 subjekte policësh për marrje ryshfeti. Lajmi është bërë me dije nga këshilltari për antikorrupsionin në Këshillin e Ministrave, Fatbardh Kadilli. Sipas këshilltarit të Berishës, këtë vit janë dërguar në prokurori rreth 200 kallëzime penale, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është shqyrtuar nga ish-prokurori Theodhori Sollaku. Në këtë pikë, Ekzekutivi ka qenë i detyruar të marrë masa ndëshkimore me pushim nga puna për 300 ish-punonjës të administratës. Në diferencë nga paraardhësi i tij, Fatos Nano, i cili në 2005-ën ka marrë vetëm 3 mijë letra korrespondence nga populli, në 2007-ën Berishës i kanë mbërritur në zyrë plot 13 mijë letra nga i gjithë vendi. Këshilltari Kadilli ka pohuar se punës së departamentit antikorrupsion në Kryeministri i është bashkuar edhe shërbimi i kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Nga hetimet e bëra nga shërbimi i kontrollit të brendshëm janë marrë pasa për pushim nga puna edhe për 100 policë, të cilët ishin të implikuar në praktikat korruptive.

Zoti Kadilli, në dy vjet qeverisjeje të së djathtës, korrupsioni ka qenë kali i betejës me të cilin ju keni fituar zgjedhjet e 2005-ës. Pas dy vjetësh, cilat janë rezultatet që keni arritur në këtë pikë dhe çfarë do të bëhet në të ardhmen?

Nëse flasim për rezultatet e kësaj periudhe 2-vjeçare do të përmendja si më të shënuara disa reforma shumë të rëndësishme për thjeshtimin e disa procedurave, të tilla do të përmend regjistrimin në një ditë të bizneseve, One Stop Shoop, përgatitja e infrastrukturës për prokurimin elektronik, çka do t‘i japë fund në një farë mënyre praktikave korruptive në prokurimet në tenderë. Por edhe prezantimit të metodës së pranimit në internet online të taksave nga taksapaguesit e mëdhenj. Këto janë reforma shumë të rëndësishme që kanë thjeshtuar jetën e bizneseve në raport me shtetin dhe reduktojnë edhe mundësinë e korrupsionit. Një tjetër drejtim i sukseseve ka qenë shërbimi ndaj qytetarëve. Po marr vetëm një shembull. Me hipotekat në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive janë trajtuar mbi 3600 kërkesa, shifër kjo më shumë se katër herë më e lartë se shifra e vitit 2005. Pra shërbehet me shumë më tepër cilësi krahasuar me dy vjet më parë. Një tjetër pikë e rëndësishme është komunikimi i vendosur nga qeveria me qytetarët nëpërmjet linjave të telefonit dhe letrave që merr Kryeministri.

Sa denoncime janë bërë këtë vit nga qytetarët kundër administratës për marrjen e ryshfeteve dhe çfarë masash ka marrë konkretisht qeveria?

Janë 13 mijë letra të ardhura në Këshillin e Ministrave në vitin 2007, krahasuar me 3 mijë letra të ardhura dy vjet më parë në vitin 2005. Këto shifra i përkasin Kryeministrit paraardhës. Shifra tregon për një komunikim dhe një besueshmëri që qytetarët kanë në adresë të qeverisë. Tjetër drejtim ka qenë bashkëpunimi me qytetarët edhe për denoncimin, gjë që ka çuar në forcimin dhe aktivizimin më tepër në efektivitet të instrumenteve të kontrollit të brendshëm. Nga departamenti antikorrupsion në Kryeministri, në dy vitet e fundit janë çuar mbi 200 çështje. Ky departament në këto dy vjet ka trajtuar 300 raste investigimi brenda ekzekutivit, ndërsa në 2005-ën, kanë qenë vetëm tre raste. Nga departamenti antikorrupsion janë dërguar këtë vit rreth 200 kallëzime penale në prokurori dhe janë masa administrative ndaj rreth 300 punonjësve nga e gjithë administrata me pushim nga puna. Një tjetër drejtim i hetimit me mjaft sukses ka qenë edhe Drejtoria e Parandalimit të Krimit Ekonomik në Ministrinë e Brendshme, e cila ka bërë të mundur arrestimin e disa personave që janë kapur me vepra korruptive, ku të dyshuarit janë paraqitur në prokurori për hetim. Ndërsa në shërbimin e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme, ku bërë rreth 72 raste hetimesh në këtë sektor nga ku kanë rezultuar rreth 100 subjekte policësh të implikuar në praktikat korruptive, të cilët janë ndëshkuar.

Me gjithë masat që janë marrë deri tani, raportet ndërkombëtare kanë njollosur faqen e Shqipërisë për nivelin e lartë të korrupsionit. Si i komentoni ju këto të dhëna?

Nuk është aspak kështu. Janë publikuar sondazhe dhe "Transparency International" e ka ndryshuar indeksin e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri, me një përmirësim nga 2.4 në vitin 2005, 2.6 në 2006-ën dhe në 2.9 në vitin 2007. D.m.th një përmirësim goxha të madh dhe të qëndrueshëm. Ky është vlerësimi i "Transparency International" në 179 vende, por në 66 vende dhe Shqipëria natyrisht, nëse ky sondazh mund të bëhej vetëm në tre vende mund të dalë edhe e fundit. Plus që edhe brenda këtij sondazhi kemi rezultate të shkëlqyera, rënien e incidencës së korrupsionit në polici dhe në Tatime. Nga 46% incidenca e korrupsionit në Tatime në 2006-ën, i njëjti sondazh e çon atë në 27% në 2007-ën, dhe në 60% në polici ai këtë vit ka zbritur në 44%. Është reduktuar me gjysmë për gjysmë edhe refuzimi i masave të qeverisë. N.q.s në 2006-ën, 53% e qytetarëve i vlerësonin masat e qeverisë jo efektive në 2007-ën, kjo shifër ka zbritur në 26%. Lexoni sondazhin, është shumë e qartë.

Ju u shprehët se janë marrë masa për 300 punonjës të administratës, të cilët janë kapur duke abuzuar me detyrën. Konkretisht, cilët janë sektorët më të korruptuar në Shqipëri?

Në qoftë se u referohemi sondazheve, shëndetësia është në vendin e parë dhe mbetet shumë problematike ky sektor. Dhe pothuajse në të gjitha momentet kur qytetarët kanë kontaktet me administratën çdo gjë mbahet nën vëzhgim për të identifikuar praktikën, mënyrën e tyre të korrupsionit dhe për të marrë masat parandaluese.

Si ka qenë këtë vit bashkëpunimi mes qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme? Si ka qenë komunikimi me ish-prokurorin Sollaku dhe komunikimi me prokuroren Rama?

Unë iu referova shifrave që kanë të bëjnë deri në momentin që ka qenë në krye të prokurorisë zoti Sollaku. Zonja Rama nuk ka as katër javë në detyrë dhe nuk mund të gjykohet ajo për punën e pakryer nga paraardhësi i saj.

Në kohën e ish-prokurorit Sollaku ka pasur hapje të dosjeve nga Prokuroria e Përgjithshme të këtyre kallëzimeve penale nga Departamenti Antikorrupsion në Kryeministri?

Ka pasur 200 kallëzime në prokurori, vetëm nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Antikorrupsion.

A janë shqyrtuar këto dosje?

Nuk janë shqyrtuar fare. Për të thënë të vërtetën, nuk janë shqyrtuar fare. Ka pasur vetëm në një rast interesim për më tepër informacion. Për të gjithë të tjerat ka pasur heshtje absolute.

Në fakt, 2008 është një vit sfide për Shqipërinë për shkak të aderimit në NATO dhe në BE. Me cilin nivel të korrupsionit do të na pranojë Evropa vitin që vjen?

Integrimi në NATO nuk është në të njëjtin temp me integrimin në Bashkimin Evropian, pasi kjo e fundit kërkon një rrugë më të gjatë. Po t‘i referohemi "Transparency International" vendet anëtare të BE-së e kanë indeksin 4.1, pra rreth 1.2 pikë më tepër se Shqipëria. Nuk është ndonjë gjë për t‘u lavdëruar, por Shqipërisë i duhet goxha punë për të përmirësuar indeksin në raport me vetveten dhe natyrisht në ato momente që do të gjykohemi për t‘u bashkuar në NATO, natyrisht do të kemi një indeks korrupsion për t‘u vlerësuar natyrisht më të lartë se indeksi i sotëm. Vlerësimi i ndërkombëtarëve është i provuar nga dy programet e mëdha, ku i pari sponsorizoi në 2006-ën rreth 14 milionë dollarë reformat e qeverisë kundër korrupsionit dhe së fundi është miratuar nga korporata "Sfida e mijëvjeçarit" edhe një mansh i dytë që do të thotë besim te kjo qeveri dhe mbështetje financiare të projekteve antikorrupsion të kësaj qeverie. Për "Sfidën e mijëvjeçarit" jemi kualifikuar para pak javësh dhe do të identifikohemi më mbrapa, por është e rëndësishme se mbas një mbështetjeje prej 14 milionë dollarësh vjen një mbështetje e dytë, që do të thotë se këto para të hedhur në fazën e parë nuk kanë shkuar dëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›