Berisha: Kompanitë e rrugëve, punë me tre turne
Kryeministri Sali Berisha ka zbritur në Korçë për festën e Krishtlindjeve nga ku ka uruar për këtë festë të gjithë besimtarët, por edhe popullin shqiptar. Për kreun e qeverisë, dita e festës nuk ka qenë një ditë pushimi. Ai ka përuruar disa vepra të cilat janë ndërtuar në Korçë, midis të cilave unazën e qytetit juglindor dhe dy pallatet e ndërtuara për të strehuar shtresat në nevojë dhe ata pa banesa. Kryeministri deklaroi se me hyrjen e vitit të ri ajo që do të ndryshojë së pari, është mentaliteti i punës për ndërtimin e rrugëve, aq të nevojshme jo vetëm për Korçën, por për të gjithë shqiptarët. Berisha ka zgjedhur Korçën, ku tradicionalisht festohet në masë Krishtlindja, pasi siç ka deklaruar ai, kjo ditë është drita e përjetësisë, duke lidhur kështu simbolikën e festës fetare me atë që qeveria do t‘u dhurojë qytetarëve të saj në nevojën për rrugë dhe për strehim. "Krishti është drita e përjetësisë. I uroj të gjithë në këtë ditë të shenjtë për këtë festë që e kremtojnë, të gjithë ata që besojnë në vlerat hyjnore", ka thënë kreu i qeverisë. Berisha ka thënë se "çdo kontratë e këtij viti do të anulohet në rast se nuk punohet në rrugë me tre turne. Kemi humbur shumë kohë dhe kemi nevojë të jashtëzakonshme për rrugë cilësore dhe investime që t‘i shërbejnë të gjithë komunitetit". Berisha ka theksuar se edhe ditët e shenjta kremtohen me inaugurime dhe punë. Ai ka vlerësuar punimet që janë kryer në qytetin e Korçës për të pasur një unazë të standardeve evropiane ku në të dyja anët e saj do të ketë lulishte dhe ndriçim. Përkrah kreut të qeverisë kanë qenë edhe ministrat Ridvan Bode dhe Sokol Olldashi. Korça, sipas Kryeministrit Berisha, ka fituar edhe në sajë të bashkëpunimit me bashkinë një nga unazat më të mira në vend, ndërsa ka vlerësuar punën e kryebashkiakut socialist, Niko Peleshi, ku përtej ngjyrimeve politike, ajo që duhet të çmohet, sipas tij, është puna në të mirë dhe dobi të komunitetit. "Kënaqësia ime e parë është që punimet kanë përfunduar në kohë rekord dhe së dyti që nga ana e bashkisë është vendosur që 30% e apartamenteve për të pastrehët t‘i ndahet komunitetit rom dhe egjiptian. Garantoj kryetarin e bashkisë se qeveria do të financojë për një pallat tjetër më të madh. Jemi të vetëdijshëm se për sa kohë që ata do të qëndrojnë në baraka ne nuk mund të ndihemi të qetë. Ata janë qytetarë të denjë të këtij qyteti që kanë derdhur lumenj djerse dhe për shkak të diskriminimit afatgjatë që u është bërë atyre meritojnë të përparësohen", ka thënë Kryeministri.