E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: FMN, në unison me kritikat tona ndaj qeverisë

Socialistët vënë një paralele mes deklaratave të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qëndrimeve të tyre. Nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe, vlerësoi shqetësimin e shefit të FMN-së, Gervin Bell, lidhur me ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e segmentit të rrugës Durrës-Kukës. "Shqetësime të cilat ne i kemi shprehur me kohë, besoj jemi koherent edhe me shqetësimet e FMN", sqaroi Braçe. Së pari, ai shtroi çështjen e kostos së projektit dhe rrezikun fiskal që rrjedh nga kontrata, që ka lidhur qeveria e Shqipërisë për këtë projekt. "Dua të evidentoj faktin që evidenton dhe FMN, që projekti u kontraktua jashtë kornizës normale ku do të kishte oferta konkurruese nga shumë burime dhe që natyrisht, që do të siguronte një çmim më të ulët dhe do të kishte vënë nën kontroll edhe kostot e këtij projekti", theksoi Braçe. Sipas tij, ai u kontraktua në një mënyrë tjetër dhe një nga rezultatet negative të kësaj mënyre kontraktimi është, se nuk ka qartësi sesa i shtrenjtë do të jetë i gjithë ky proces. "Shqetësimi ynë që përkon edhe me shqetësimin e FMN mbetet fakti, që realizimi i këtij projekti në të tilla parametra financiarë të mos vështirësojë aftësitë financuese të buxhetit të shtetit dhe të mos çojë në një kosto të papërballueshme", u shpreh numri dy i deputetëve socialistë. Ndërsa shtoi se gjitha këto problematika, që ka ngritur FMN të përkthyera në gjuhën e ligjit janë dhe problematikat që ka ngritur PS në dokumentin me anë të të cilit kërkon vënien nën hetim të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. "Pra, problematika që ngre FMN nga pikëpamja financiare e përkthyer në gjuhën e ligjit nga organi i prokurorisë është pothuajse i përputhur gjë që bën, që bie poshtë alibia e Kryetares së Parlamentit dhe e mazhorancës në Komisionin e Imuniteteve, që akuzat e prokurorisë nuk janë të qena, nuk ekzistojnë", konstatoi Braçe. Ai nënvizoi se socialistët janë po aq të shqetësuar edhe sa FMN për situatën e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare sidomos në dy drejtime. "Së pari, për faktin, që kjo korporatë vazhdon të mbledhë vetëm 50% të parave, apo 50% të energjisë, që hidhet në rrjet", tha ai. Së dyti, për faktin që vitin 2007 korporata po e mbyll me 20 miliardë lekë humbje, që është një shifër që dëmton rëndë financat e KESH-it, që është një shifër që pavarësisht borës dhe shiut e bën të pamenaxhueshme korporatën dhe e bën të pamenaxhueshme krizën financiare, që tashmë ka hyrë KESH. "Natyrisht, ashtu si edhe FMN edhe ne kemi shqetësimin, sesi do t‘i mbulojë qeveria këto humbje të mëdha financiare të korporatës", shtroi shqetësimin Braçe. Ndërsa kërkoi të kuptohet se cila është mënyra që qeveria ka paraparë për të nxjerrë korporatën nga kriza financiare, që po kthehet në krizë të pafundme energjetike për të gjitha familjet shqiptare. Ai mbështeti edhe qëndrimin e FMN për inflacionin dhe përpjekjet e pakta të qeverisë për të kontrolluar inflacionin në mënyrë që ai mos të zgjerohet më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›