Epoka "Rama", fillojnë dorëheqjet në prokurori
Fillon "eksodi" në Prokurorinë e Përgjithshme. Pas shkarkimit të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, largohet këshilltari dhe zëdhënësi për shtyp, Agim Neza. Pas katër viteve në detyrë, në krah të Sollakut, Neza i ka dorëzuar kryeprokurores Ina Ramës dorëheqjen e parevokueshme. Pritet që në fund të muajit, 46-vjeçari me një karrierë 15-vjeçare në administratën shtetërore, si këshilltar dhe zëdhënës, të mbyllë detyrimet përkatëse në organin e akuzës qendrore. Një nga zëdhënësit më sfidues dhe luftarak, duket se do të pushojë disa javë pas një viti të mbushur me akuza politike dhe mediatike ndaj institucionit që ka përfaqësuar në këto vite. Përvoja e madhe e punës me 10 ministra, një zëvendëskryeministër dhe një prokuror të përgjithshëm, e ka ndihmuar ta përballojë me sukses trysninë e punës së përditshme, por tashmë duhet të lërë postin. Nga ana tjetër, stafi i Ramës nuk e komenton largimin, duke saktësuar se në fillim të muajit shkurt pritet emërimi i këshilltarit të ri. Por "ethet" e largimeve kanë prekur të gjithë trupën e prokurorëve. Mësohet se javët në vazhdim mund të largohen disa zyrtarë të lartë. Burimet nuk përjashtojnë as "reformën" e pritshme të kryeprokurores, e cila ka deklaruar publikisht se viti 2008 do të shënojë ristrukturimin e prokurorisë. Disa prokurorë pritet të marrin postet e njëri-tjetrit, me qëllim riorganizimin e prokurorisë. Por nuk përjashtohet mundësia e transferimit të disa prokurorëve apo personave që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë në akuzën qendrore. Lëvizjet e para do të jenë këshilltarët dhe stafi i ngushtë i ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Një tjetër mundësi "reforme" në institucionin e prokurorisë është edhe shkrirja e disa sektorëve apo drejtorive. Më shumë sesa lëvizjet e emrave konkretë, duket se ndryshimet do të konsistojnë në shkrirjen dhe reduktimin e drejtorive dhe personelit të tyre. Në akuzën qendrore mund të "punësohen" disa prokurorë dhe ish-prokurorë të prekur nga reformat e mëparshme. Madje, për disa nga postet më të larta të prokurorisë, pritet të emërohen dhe dekretohen edhe ish-kryeprokurorë. Thashethemet edhe hamendësimet për strukturën e re do të zyrtarizohen në javët apo muajt në vazhdim.