Kanavaro zgjedh Shuster: Me të jemi më të qetë
Fabio Kanavaro "tradhton" Fabio Kapelon. Mbrojtësi italian ka deklaruar dje se Reali i Madridit është më mirë se në sezonin e kaluar falë punës së trajnerit gjerman, Bernd Shuster. "Kapelo të frikëson, ndërsa Shuster fiton besimin tënd. Ne kemi arritur të mbajmë më të mirat e periudhës së drejtimit të Kapelos, ndërsa më në fund po luajmë në mbrojtje me katër mbrojtës të mirëfilltë", tha ai. Megjithatë, Kanavaro është i bindur se trajneri italian do të dijë të tregojë vlerat e tij të vërteta edhe me përfaqësuesen angleze. "Ai do të triumfojë me Anglinë. I pëlqejnë sfidat e pamundura dhe fakti që duhet të përballet me to".