PD-PS bien dakord për realizimin e reformës në drejtësi
Nis konkretizimi i kompromisit të heshtur mes mazhorancës dhe opozitës për hartimin e dy reformave kryesore, atë në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Komisioni i Ligjeve do të nisë ditën e enjte punën për shqyrtimin e projektligjit për reformimin e sistemit të drejtësisë. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, të organizuar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Konferenca e Kryetarëve, e cila nuk ka zgjatur më shumë se një orë, ka marrë vendimin që të nisë menjëherë shqyrtimi i projektligjeve për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Vendim, i cili paraprakisht ka qenë marrë nga një takim informal i zhvilluar mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitën në ambientet e Komisionit të Ligjeve rreth orës 11.30. Ku, Patozi e Beja nga mazhoranca dhe Leskaj e Xhafa nga opozita kanë diskutuar në mënyrë më konkrete qëndrimet e të dyja palëve, duke rënë dakord që puna fillimisht duhet të nisë me realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, pikë kjo që duhet të realizohet menjëherë nga politika shqiptare, pasi reforma në sistemin e drejtësisë është një nga çështjet kyçe, realizimi i së cilës hap shtegun për marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO. Pas konsensusit të arritur në këtë takim, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e zhvilluar në orën 13.00, thjesht sa ka zyrtarizuar para mediave qëndrimin, i cili si fillim ka qenë mjaft pozitiv dhe kjo është pranuar si nga përfaqësuesi i mazhorancës, Astrit Patozi, ashtu edhe nga përfaqësuesja e opozitës, Valentina Leskaj. Para mediave Patozi është shprehur se "mazhoranca ka një projekt të plotë për reformën në drejtësi dhe do të operojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët politikë, që kjo reformë të implementohet sa më shpejt". Ai konfirmoi se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve me unanimitet u vendos që ditën e enjte Komisioni i Ligjeve të fillojë nga puna me reformën në drejtësi dhe konkretisht me ligjin për organizimin e gjyqësorit. Sipas tij, ky do të ishte një hap shumë pozitiv për konkretizimin e angazhimeve të përbashkëta, që mazhoranca tashmë i ka bërë publike. Pothuajse në të njëjtën valë mendimi me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së ka qenë edhe kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Leskaj ka pranuar se është rënë dakord që të nisë puna në Komisionin e Ligjeve me realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. "Angazhimi ynë për të vajtur në Komisionin e Ligjeve është pjesë e konstantes dhe qëndrimeve që ne kemi shprehur për reformën në drejtësi, e cila së bashku me reformën zgjedhore kondicionojnë marrjen e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kemi rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve që Komisioni i Ligjeve të nisë menjëherë nga puna me projektligjin ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor‘, por natyrisht kjo nuk është e gjithë reforma", është shprehur Leskaj. Sipas saj, reforma në drejtësi është shumë më komplekse, ndaj ajo ka theksuar se opozita i ka kërkuara mazhorancës që të paraqesë një program dhe disa modalitete për sa i përket reformës në drejtësi. Leskaj theksoi se "kompleksiteti i kësaj reforme mund të përfshijë disa institucione të rëndësishme: prokurorinë, KLD-në dhe sektorë të tjerë të sistemit të drejtësisë. Ky projektligj për pushtetin gjyqësor ka qenë në Komisionin e Ligjeve edhe më parë. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste janë shprehur kritikë, madje edhe në shumë qëndrime publike, megjithatë jemi të angazhuar të japim kontributin tonë mbi këtë ligj".
"Mazhoranca ka një projekt të plotë për reformën në drejtësi dhe do të operojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët politikë