E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohet tryezë, shuplakë Ramës dhe Berishës

Lëvizja Socialiste për Integrim u dha dje shuplakë socialistëve dhe demokratëve. Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, shigjetoi dy forcat e mëdha politike si shkaktare të ngecjes në vend të procesit të reformave. LSI vlerëson me shqetësim se situata politike dhe e reformave në vend ka një bllokim thuajse të plotë. "Shprehjet e vullnetit politik dhe dëshirës për konsensus të gjerë për reformat në vend janë mjaft larg hapave konkrete për realizimin e tyre", vlerësoi Vasili. Sipas tij, momenti në të cilin ndodhet vendi dhe gjendja e procesit të reformave është në kontrast kritik me kohën jashtëzakonisht të pakët në dispozicion deri në Samitin e Bukureshtit, pra të marrjes eventuale të ftesës së anëtarësimit në NATO. "Kjo situatë kërkon një ripozicionim të ri, cilësisht të ndryshëm dhe të papajtueshëm me patetizmin bosh të shprehur deri më tani nga e gjithë politika shqiptare dhe veçanërisht nga ato forca politike të cilat kanë edhe përgjegjësi parlamentare të rëndësishme", nënvizoi Vasili. Ky vullnet politik, shtoi ai, pa përmbajtje të thellë e përgjegjësi të vërteta, ka kushtëzuar në mënyrë përcaktuese edhe mosfunksionimin e komisioneve parlamentare përkatëse, të cilat janë shndërruar në instrumente farse të procesit të reformave në drejtësi dhe të reformës zgjedhore në veçanti. LSI shpreh vullnetin për të qenë inspiruese e një klime të re dialogu dhe vullneti real politik përmes ripozicionimit publik të të gjitha forcave politike në një tryezë të gjerë, ku vullneti të përkthehet në produkt politik reformash me afate dhe përgjegjësi të përcaktuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›