E Diel, 1 Nëntor 2026

I hapet rruga ndërtimit të muzeut arkeologjik nëntokësor dhe rehabilitimit të sheshit “Nënë Tereza”

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave ngarkoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për realizimin e projektit të muzeut arkeologjik nëntokësor dhe rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza”.

Vendimi përcakton që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të kryejë të gjitha procedurat e prokurimit publik, përfshirë lidhjen e kontratave për projektimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe ndjekjen e zbatimit të tij.

Projekti përfshin ndërtimin e muzeut arkeologjik nëntokësor, parkimin nëntokësor dhe rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza”.

Në funksion të realizimit të projektit, FSHZH do të paraqesë edhe kërkesat për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit në emër të institucioneve publike përfituese pranë autoriteteve kompetente të zhvillimit të territorit dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore të nevojshme.

Për zbatimin e projektit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkia Tiranë mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi.

Efektet financiare të projektit do të përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›