E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet vendimi për krijimin e Regjistrit Elektronik për personat e ndaluar në lojëra fati

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin dhe funksionimin e Regjistrit Elektronik të personave që ndalohen të luajnë lojëra fati.

Vendimi përcakton krijimin e një regjistri elektronik për personat, për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit, si dhe në faqet e internetit, aplikacionet apo platformat elektronike ku mund të zhvillohen lojëra të licencuara.

Regjistri do të administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e licencuar të lojërave të fatit.

Sipas vendimit, kërkesa për moslejim mund të bëhet nga vetë lojtari ose nga një familjar i tij, si bashkëshorti, prindërit, fëmija i rritur ose personi që jeton në të njëjtën familje.

AMLF-ja ka përgjegjësinë të shqyrtojë kërkesat dhe të vendosë për pranimin ose refuzimin e tyre brenda afateve të përcaktuara që janë 2 ditë kur kërkesa bëhet nga vetë lojtari dhe 5 ditë kur kërkesa bëhet nga familjarët, përfshirë dokumentacionin mjekësor ose gjyqësor që provon problemet financiare ose personale të shkaktuara nga lojërat e fatit.

Vendimi i AMLF-së për moslejimin përfshin: emrin dhe mbiemrin e lojtarit, adresën dhe kontaktet, afatin e ndalimit dhe llojin e lojës së fatit që nuk mund të luhet.
Pas përfundimit të afatit, AMLF-ja fshin informacionin nga regjistri dhe njofton lojtarin përmes portalit e-Albania.

Organizatorët e licencuar të lojërave të fatit kanë të drejtë vetëm për shikim të regjistrit, ndërsa AMLF-ja ka të drejta administrative të plota për menaxhimin e bazës së të dhënave. Të gjitha veprimet në regjistër janë të dokumentuara dhe të gjurmueshme.

Vendimi ka për qëllim parandalimin, minimizimin dhe eliminimin e pasojave socio-ekonomike të lidhura me përdorimin problematik të lojërave të fatit dhe mbrojtjen e stabilitetit financiar dhe familjar të individëve.

Gjithashtu, AMLF-ja ndërmerr të gjitha masat tekniko-organizative për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, duke siguruar që çdo akses apo shkëmbim i informacionit të jetë i kontrolluar dhe i dokumentuar.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›