Etika përjashton me 10 ditë deputetët Bardhi dhe Balliu, fal Ballën

Sekretariati i Etikës ka përjashtuar me 10 ditë deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Grupit Parlamentar socialist.
Gjithçka lidhet me ngjarjet e seancës së fundit parlamentare, gjatë së cilës, teksa ironizioi demokratët që nuk janë pyetur nga ana e qeverisë për këtë mundësi anëtarësimi në BE, Taulant Balla iu drejtua deputetes Albana Voshki: “për ty Albana kam numrin 0900”.
“Rama po thotë dhe ka thënë disa herë , që ne pranojmë të futemi në BE edhe pa të drejtë vetoje, nuk e duam veton. Thamë t’ju pyesnim juve njëherë por nuk kishim kohë, realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin, t’ju merrnim dhe t’ju thonim “si mendoni ju për ketë”. 0900, se për ty Albana kam këtë numrin, padyshim”, tha Balla.
Më pas deputetët demokratë kanë shkuar drejt foltores, situatë që solli ndërhyrjen e Gardës.
Ndërkohë, Etika pasi shqyrtoi kërkesën e PD-së, vendosi kundër përjashtimit të Taulant Ballës.