E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjobë” 20 mijë euro zyrtarit të ISHSH-së, Apeli lë në burg gazetarin

Gjykata e Apelit le në burg gazetarin dhe pronarin e portalit “Priza”, Elio Laze.

Laze u arrestua më 12 shkurt të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

Ishte një zyrtar i Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, i cili bëri denoncim pranë autoriteteve, se gazetari Eljo Laze, pronar i portalit “Priza.al” i bënte shantazh përmes publikimit në kohë të ndryshme të disa lajmeve kundër tij, dhe për t’i fshirë ato, në këmbim, i kërkonte 20 mijë euro.

Sipas hetimeve, gazetari Laze, i ka kërkuar fillimisht të paguajë një këst prej 5 mijë eurosh për të fshirë vetëm njërin shkrim. Por, gjatë kësaj faze, zyrtari me inicialet K.Sh ka bërë denoncim në prokurori, dhe nën mbikëqyrjen e hetuesve, ka bërë dorëzimin e parave, të cilat kanë qenë të regjistruara me numër serie.

Sipas një njoftimi të mëparshëm të Policisë,  Laze u arrestua në flagrancë nga efektivët, menjëherë pasi mori 5 mijë euro nga zyrtari, të cilat edhe u sekuestruan.

Gazetari 37-vjeçar do të përballet tashmë me akuzat: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›