“Mr. Scorsese”, dokumentari kushtuar jetës dhe karrierës së titanit të kinematografisë

NJU JORK, 15 tetor /ATSH/- Herën e parë që regjisorja Rebecca Miller u takua me Martin Scorsese ishte në sheshxhirimin e filmit “Gangs of New York” të vitit 2002, sipas AP.
Bashkëshorti i saj, Daniel Day-Lewis, luante rolin kryesor. Atje, Miller zbuloi një Scorsese të shqetësuar në një skenë gjigante të luftimeve të filmit, të xhiruar në një sheshxhirim të gjerë.
“Ai dukej si një djalë i ri, i cili shpresonte se kishte zgjedhur mënyrën e duhur për të xhiruar skenën e filmit. Mbeta e habitur se sa i ri dhe i gjallë ishte”, tha Miller.
Në dokumentarin me pesë seri “Mr. . Scorsese”, Miller fokusohet në jetën dhe karrierën e Scorsese.
“Flitet për 32 filma, që janë shumë filma. Por ka edhe shumë filma të tjere”, tha Miller, duke iu referuar projekteve të Scorsese që do të vijnë në të ardhmen. “Është një jetë që i tejkalon kufijtë e vet”, tha ajo.
Në dokumentarin “Mr. Scorsese”, Miller ulet me regjisorin për të diskutuar jetën e tij gjatë pesë episodeve, duke filluar me rininë e tij në Nju Jork dhe duke vazhduar deri në realizimin e filmit “Killers of the Flower Moon” (2023).
Jeta e Scorsese ka pasur prej kohësh një hark mitik. Fëmija astmatik nga Italia që u rrit duke parë filma të vjetër dhe vazhdoi të bënte disa filma në Nju Jork.
Edhe kjo është pjesë e dokumentarit “Mr. Scorsese”, por puna e Miller, e realizuar nga një intervistë 20-orëshe me Scorsese gjatë pesë viteve, përfshin biseda më intime, reflektuese dhe shpesh qesharake rreth arsyeve që e shtynë atë të krijonte filma mbi moralin dhe besimin.
“Kush jemi ne? Çfarë jemi ne? A jemi në thelb të mirë apo të këqij?”, thotë Scorsese në momentet e para të dokumentarit.
“Kjo është lufta. Unë luftoj me të gjatë gjithë kohës”, vazhdon ai.
Miller filloi të intervistonte Scorsese gjatë periudhës së pandemisë. Regjisori sapo kishte filluar xhirimet “Killers of the Flower Moon”.
Takimet e tyre të para ishin jashtë ambienteve të punës. Miller, fillimisht ia prezantoi idenë Scorsese si një portret shumëplanësh.
Pastaj, ajo propozoi një dokumentar dy-orësh. Më vonë, nga nevoja, u shndërrua në një dokumentar pesë-orësh.
“Shpjegova se doja të ndiqja një qasje kubiste, me rreze të ndryshme drite – nga të gjitha perspektivat – bashkëpunëtorë, familjarë”, tha Miller.
“Brenda një kohe shumë të shkurtër, ai filloi të fliste për cdo gjë. Isha pak e hutuar, dhe mendove: “A është kjo një intervistë pune apo një situatë planifikimi?”, tha ajo.
Dokumentarët e vetë Scorsese kanë qenë shpesh disa nga dritaret më të thella ndaj tij.
Në një nga filmat e tij të hershëm, “Italianamerican” (1974), ai intervistoi prindërit e tij.
Sondazhet e tij mbi kinemanë, duke përfshirë “Një udhëtim personal me Martin Scorsese përmes filmave amerikanë” të vitit 1995 dhe “Udhëtimi im në Itali” të vitit 1999, zbulojnë kryesisht frymëzimet që e formuan atë.
Scorsese nuk ka shkruar kurrë kujtime, por këto filma i afrohen shumë.
Ndërsa pjesa më e rëndësishme e dokumentarit “Mr. Scorsese” janë kujtimet e vetë regjisorit nga njëri film në tjetrin, një mori personalitetesh të tjera ngjyrosin portretin e tij.
Këtu përfshihen bashkëpunëtorë si Thelma Schoonmaker, Paul Schrader, Robert De Niro, Leonardo DiCaprio dhe Day-Lewis.
Gjithashtu, përfshihen fëmijët e Scorsese, ish-bashkëshortet e tij dhe miqtë e tij të vjetër nga Italia.
Njëri prej tyre, “Sally Gaga” një nofkë për Salvatore Uricola, një mik fëmijërie i Martin Scorsese, i cili frymëzoi personazhin e Johnny Boy në filmin “Mean Streets”.
“Kinemaja e përfshiu atë në një moshë kaq të re dhe nuk e la kurrë”, thotë DiCaprio në dokumentar.
“Nuk do të ketë më kurrë një regjior si ai”, thotë Steven Spielberg.
Gjithashtu, dokumentari “Mr. Scorsese” është një kujtesë se sa shpesh nuk ka qenë e lehte për të dhe sa shpesh Scorsese e ka gjetur veten jashtë Hollywood-it, qoftë për shkak të zhgënjimit nga shitja e biletave, një përplasjeje stilesh apo rrezikut të perceptuar në tematikat e diskutueshme që ai përcillte në filmat e tij, (“Taxi Driver”, “The Last Temptation of Christ”).
“Ai luftonte për çdo film. Ndalimi i gjithë kësaj – ishte si të hipje në një kalë të egër – dhe të ishe lart dhe poshtë, i vdekur, pastaj gjallë”, tha Miller.
Ekzekutivët e filmave sot, të prirur ndaj rrezikut, mund të marrin disa mësime nga dokumentari “Mr. Scorsese”.
Në fund të viteve 1970, producenti Irwin Winkler refuzoi të bënte “Rocky II” me United Artists nëse ata nuk bënin edhe “Raging Bull”.
Për Miller, filmat e së cilës përfshijnë “The Ballad of Jack and Rose” dhe “Maggie’s Plan”, të qenit pranë Scorsese ishte një shkollë.
Për montazhin e dokumentarit u ndoq stili i filmave të tij. “Në prani të këtyre filmave, fillon të thithësh ajrin”, tha Miller.
Afërsia me Scorsese nënkupton gjithashtu – në mënyrë të pashmangshme – rekomandime filmash.
Njëri prej tyre që spikati për Miller ishte “The Insect Woman”, drama e vitit 1963 e regjisorit japonez, Shohei Imamura.
Dokumentari “Mr. Scorsese” u shfaq së fundmi në Festivalin e Filmit në Nju Jork, ku djali i Miller, Ronan Day-Lewis, bëri debutimin e tij si regjisor me “Anemone”, një film që shënoi rikthimin e bashkeshortit të saj në kinema. //a.i/