FOKUS – Cilat ishin ilaçet psikotrope me të cilat abuzonin paraardhësit tanë?

LONDËR, 28 prill /ATSH/ – Në të kaluarën, luftërat, konfliktet sociale, krizat ekonomike shpesh kanë vepruar si shkaktarë për çrregullime mendore në shkallë të gjerë, shkruan focus.it.
Dhe ilaçi “bëje vetë” shpesh ka qenë përdorimi natyral i halucinogjenëve ose alkoolit.
Sidomos pasi revolucioni shkencor çoi në përhapjen e të ashtuquajturve “qetësues masivë”.
Ankthi i shkaktuar nga ritmi intensiv i Revolucionit Industrial çoi në bum-in e laudanumit, një shurup i ëmbël i bërë nga vera dhe tretësira e opiumit, i shpikur në vitin 1541 nga mjeku dhe alkimisti Paracelsus, i shndërruar në një qetësues nga punëtorët, por që përdorej edhe për të qetësuar të porsalindurit në Anglinë viktoriane.
Përgatitja më e njohur quhej ”Godfrey’s Cordial”, e përdorur si qetësues për foshnjat dhe fëmijët hiperaktivë.
Absinthi, nga ana tjetër, ishte i përhapur në bistrot, kafenetë dhe baret pariziene dhe një nga të preferuarat e piktorëve dhe artistëve.
E shpikur në vitin 1792 nga mjeku francez Pierre Ordinaire, ai ishte një distilat (Artemisia absinthium, prej nga vjen edhe emri i likerit), abuzimi i të cilit shoqërohej me verbëri, halucinacione dhe përkeqësim mendor.
Rasti i tretë i “qetësuesit masiv” në Amerikën e viteve 1950 ishte ai i anksiolitikut Miltown, bazuar në meprobamate, të tregtuar nga ”Wallace Laboratories”.
Reklamat u drejtoheshin kryesisht amvisave, të cilave u këshillohej ta përdornin “për ankth dhe shqetësime emocionale”: u premtua se kjo do ta bënte shtatzëninë e tyre “një përvojë më të lumtur”.
Për shkak të toksicitetit të tij në qumështin e gjirit dhe efekteve anësore, në fillim të viteve 1960 u zëvendësua nga benzodiazepinat, përkatësisht Librium dhe Valium./ /os/