FOKUS – Irani kryen sulme hakmarrëse ndaj forcave amerikane në Katar dhe Irak

TEHERAN, 23 qershor /ATSH-DPA/- Irani ka sulmuar bazat ushtarake amerikane në Katar dhe Irak në hakmarrje për bombardimin e objekteve të tij bërthamore, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA.
Sulmi në kryeqytetin e Katarit, Doha, kishte në shënjestër Bazën Ajrore al-Udeid, ku ndodhen forcat nën Komandën Qendrore të SHBA-së.
Fillimisht, nuk ishte e qartë se cilat vende ishin në shënjestër në Irak.
Megjithatë, media irakiane raportoi se ishte shpallur gjendja e gatishmërisë maksimale dhe lëshuar urdhra strehimi në Bazën Ajrore Ain al-Asad, në Irakun perëndimor.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit deklaroi se mbrojtja ajrore kishte interceptuar sulmin me raketa që kishte në shënjestër Bazën Ajrore al-Udeid, duke shtuar: “Falë Zotit, vigjilencës së forcave të armatosura dhe masave paraprake, incidenti nuk rezultoi në vdekje ose plagosje.”
Një përfaqësues izraelit u tha medieve se Irani kishte lëshuar gjithsej 10 raketa në objektivat amerikane në Katar sot në mbrëmje.
Katari njoftoi mbylljen e hapësirës së tij ajrore përpara sulmeve iraniane.
Dëshmitarët në Doha raportuan se kishin dëgjuar shpërthime për rreth dy minuta.
Gjatë fundjavës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën tre centrale bërthamore kryesore në Iran – në mbështetje të Izraelit.
“Ne nuk e filluam luftën dhe as nuk e deshëm, por nuk do ta lëmë agresionin kundër Iranit të madh pa përgjigje”, tha në X presidenti iranian, Masoud Pezeshkian përpara se të konfirmoheshin sulmet në Katar dhe Irak. //a.i/