FOKUS – Izraeli sulmon kompleksin nëntokësor të Khameneit në Teheran

TEL AVIV. 6 mars /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite njoftoi sot se ka goditur bunkerin nëntokësor të udhëheqësit suprem iranian të vrarë, Ali Khamenei.
Sipas një deklarate të forcave të mbrojtjes së Izraelit (IDF), kompleksi nëntokësor ndodhet nën ndërtesa qeveritare në qendër të Teheranit.
Khamenei u vra të shtunën e kaluar gjatë valës së parë të sulmeve ajrore të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit.
“Pak më parë, rreth 50 avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite, të drejtuar nga inteligjenca e saktë e IDF-së, goditën bunkerin nëntokësor të Ali Khameneit në Teheran”, thuhet në deklaratë.
Sipas ushtrisë izraelite, bunkeri përdorej si “bazë për zhvillimin e aktiviteteve ushtarake”. Kompleksi besohet se shtrihet nën disa rrugë dhe kishte hyrje të shumta.
Ushtria, shtoi se sulmi ndaj objektit “dobëson më tej aftësitë e regjimit për komandë dhe kontroll”.
Dëshmitarët njoftuan për shpërthime të fuqishme dhe lëkundje të forta që u ndjenë në shumë ndërtesa banimi. Fillimisht nuk pati raportime për viktima.
Ditët e fundit, Izraeli ka goditur edhe disa ndërtesa kyçe qeveritare që besohet se ndodhen mbi kompleksin e bunkerëve. /Ad.Ab./