FOKUS – Rama: Ne i tregojmë botës një vend fantastik falë ”Giro d’Italia”-s

TIRANË, 11 maj /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama shfaqet në fillim të etapës së dytë të ”Giro d’Italia”-s, i veshur me bluzë dhe tuta sporti, shkruan sot nga Tirana Luca Bianchin për median italiane gazzetta.it, me rastin e ”Giro d’Italia”, që po zhvillohet në Shqipëri.
- “Është e mrekullueshme që në një ditë zgjedhjesh, ku zakonisht ka tension, të ketë një festë”, thotë Rama.
”Giro” shërben për të sjellë turizëm, por është gjithashtu një sport i zemrës. Çfarë do të thotë për ty?
- “Kur isha i ri, dëgjoja ‘Giro d’Italia’ në radio dhe bëja tifo për Merckxin. Çiklizmi është një metaforë për jetën dhe me ‘Giron’ mund t’i tregojmë Italisë dhe botës se çfarë vendi fantastik jemi. Duhet të përgëzoj Cairon për organizimin sepse në 24 orët e fundit kam marrë mesazhe nga jashtë që thonë se ”jeni një vend i jashtëzakonshëm”, thotë Rama.
Çfarë është sporti italian për ju?
- “Sporti italian, kur u bëra tifoz i Juventusit, ishte dritarja e vetme drejt një bote tjetër. Me komunizmin ishim plotësisht të izoluar, televizioni italian ishte i kriptuar, nuk mund të udhëtonim, sinjali televiziv ndizej vetëm me emisionin ’90° minuta’ dhe mund ta ndiqje futbollin minutë pas minute në radio. Ishte shumë më tepër sesa sport. Këtu dikur kishte dy blloqe të mëdha tifozësh, Italia dhe Gjermania. Kur luheshin Kupat e Evropës dhe të Botës, ishte një gjë e pabesueshme. Në vitin 1982 ishte çmenduri të dëgjoje festimet dhe britmat në shtëpi, sepse në rrugë nuk mund të festoje si çdo komb tjetër. Disa të rinj që atë mbrëmje, pas finales, dolën në rrugë për të festuar, u arrestuan”.
Cilët janë tre profesionistët tuaj të preferuar të të gjitha kohërave?
- “I pari është Dino Zoff. Kur isha fëmijë kisha një foto të tij në dhomën time, ma solli babai kur shkoi në Itali për disa ditë, shumë vite më parë. I dyti që më vjen ndërmend është Arrigo Sacchi. I treti, për nga lidershipi, është José Mourinho”.
Çfarë roli duhet të ketë sporti në vitin 2025?
- “Mendoj se duhet të reflektojmë se sa investojmë ne dhe Evropa në sport? Sporti mund t’i japë shumë më tepër Evropës, për një shoqëri më të shëndetshme, pak më të ekuilibruar midis TikTok-Facebook dhe trupit dhe mendjes. Ne nuk jemi robotë, inteligjenca artificiale mund të bëjë gjithçka, por jo të ndiejë dashurinë që na nevojitet. Nuk e kuptoj se si Italia është një nga fuqitë e mëdha të futbollit, e cila është trashëgimi kulturore, ka stadiume të turpshme”.
Si socialist, si e shpjegoni afërsinë tuaj me kryeministren Meloni? Çfarë efekti pati tek ju vizita në qendrën e migrantëve në Gjadër?
- “Në një miqësi midis Shqipërisë dhe Italisë nuk mund të zgjedhësh vetëm atë që është e bukur, argëtuese dhe politikisht e pastër. Duhet të jesh aty edhe kur është e nevojshme të bësh gjëra të vështira. Giorgia Meloni është një politikane e krahut të djathtë, por e krahut të djathtë evropian: për kontributin e saj në mbajtjen e Evropës së bashkuar, ajo ishte një surprizë për të gjithë”.
Kjo ”Giro” përsërit një koncept: për fat të mirë, mënyra se si italianët e shohin popullin shqiptar ka ndryshuar pafundësisht, në 35 vitet e fundit.
- “Po, ndryshimi është i madh. Njerëzit e thjeshtë në Itali kanë qenë shumë të hapur dhe mikpritës ndaj nesh. Po të mos ishin ata, ku do të kishim gjetur ushqim, mikpritje dhe ndihmë?”, përfundon Rama./ a.jor.