Zaka: Kandidatë të PD kanë hyrë brenda qendrave të votimit

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Kiduina Zaka ka reaguar sot përmes një deklaratë për shtyp ku ka denoncuar disa kandidatë të PD-së për shkelje të Kodit Zgjedhor.
Kandidatja e PS-së thotë se PD po zbaton një aksion të organizuar për të penguar zhvillimin normal të procesit të votimit. Sipas Zakas, përfaqësues të kësaj force politike kanë braktisur detyrën në disa raste, siç është sekretari i QV 3209/1 në Topojë të Fierit, i cili ka marrë edhe vulën me vete.
“PS ka bërë kërkesë për zëvendësim të menjëhershëm të sekretarit të QV 3209/1, Jani Sharka. PS edhe njëherë iu bën thirrje të gjithë komisionerëve të PD-së që të mos ju binden urdhrave të drejtuesve të tyre për shkelur ligjin. Çdo shkelje e ligjit do të denoncohet në organet ligjzbatuese”, thotë ajo.
“Në orët e para të procesit të votimit janë vërejtur kandidatë të PD-së që në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor kanë hyrë brenda qendrave të votimit. Përmendim këtu kandidatët Zana Lumani, Luljeta Sejko, Luan Baçi, Eduard Sharka, Samena Malenaj, Gentian Çelaj dhe Silva hasa të cilët në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor hynë në qendra e votimit duke ushtruar presion mbi komisionerët dhe votuesit”, thotë Zaka.
Kandidatja e PS-së për qarkun e Fierit, pohon se të gjitha këto situata janë të vërtetuara me pamje filmike dhe fotografi, ndërsa shton se “PS e qarkut Fier kërkon nga kandidatët e të gjitha forcave politike të respektojnë Kodin Zgjedhor që të mos afrohen pranë QV-ve më shumë se 150 metra”.
“PS është e angazhuar me të gjitha strukturat e saj në respekt të plotë të Kodit Zgjedhor për të siguruar një proces të qetë dhe të rregullt votimi. Të gjitha këto veprime në shkelje të ligjit nga kandidatët e PD janë referuar pranë KZAZV-e dhe KQZ-së dhe skuadra juridike e PS qarkut Fier po procedon me kallëzime personale për secilin kandidat të PD që hyn brenda qendrave të votimit dhe ushtron presion ndaj komisionerëve dhe zgjedhësve”, përfundon Zaka.
/e.i/ /a.g/