FOKUS – UNICEF: Numri i fëmijëve të përfshirë në punë në mbarë botën arrin në rreth 138 milionë

KËLN, 11 qershor /ATSH-DPA/- Sipas një raporti të ri të publikuar sot nga UNICEF dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), në vitin 2024, numri i fëmijëve të përfshirë në punë në mbarë botën arriti në rreth 138 milionë.
Rreth 54 milionë fëmijë që punojnë ka të ngjarë të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Puna e fëmijëve ndodh më shpesh në bujqësi, me rajonin më të goditur që është Afrika Sub-Sahariane, ku preken 87 milionë fëmijë.
Shifrat tregojnë një rënie të punës nga fëmijët – në gati 138 milionë në periudhën 2021-2024, nga 160 milionë në periudhën 2016-2020.
Megjithatë, objektivi i eliminimit të punës te fëmijët deri në vitin 2025, i përfshirë në Objektivat e Zhvillimit të OKB-së, nuk mund të arrihet.
Raporti i UNICEF u publikua një ditë përpara Ditës Botërore Kundër Punës së Fëmijëve.
“Raporti i ri i punës së fëmijëve nënvizon realitetin e zymtë se miliona fëmijëve ende u mohohet e drejta për të mësuar, për të luajtur dhe thjesht për të qenë fëmijë, pavarësisht gjithë progresit”, tha kreu i UNICEF-it në Gjermani, Christian Schneider.
“Rezultatet mund të arrihen vetëm përmes mbrojtjes ligjore, mbrojtjes më të mirë sociale, investimeve në arsim falas dhe me cilësi të lartë dhe punës me dinjitet dhe pagës së drejtë për të rriturit”, tha Schneider.
“Këto janë instrumente efektive për mbrojtjen e fëmijëve”, tha ai. //a.i/