E Martë, 3 Nëntor 2026

GJERMANI – Berlini përjashton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj ministrave izraelitë

BERLIN, 11 qershor /ATSH-DPA/- Qeveria gjermane nuk planifikon t’u bashkohet sanksioneve të vendosura nga pesë vendeT, përfshirë Britaninë e Madhe, ndaj dy ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë – lidhur me qëndrimin e tyre ndaj Gazës dhe nxitjen e dhunës kundër palestinezëve.

“Gjermania vendos sanksione vetëm brenda kornizës së Bashkimit Evropian”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin – në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari, duke vënë në dukje se unanimiteti ishte i nevojshëm për një hap të tillë.

“Sigurisht, ne e kemi marrë parasysh vendimin e djeshëm nga disa prej partnerëve tanë ndërkombëtarë”, shtoi zëdhënësi.

Kjo vjen pasi Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe Norvegjia njoftuan dje se kanë sanksionuar Itamar Ben-Givr, ministrin e Sigurisë në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, dhe Bezalel Smotrich, ministrin e Financave, për nxitje të dhunës ekstremiste dhe abuzimeve ndaj të drejtave të palestinezëve.

Ben-Gvir dhe Smotrich mbështesin në mënyrë aktive zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe tolerojnë dhunën nga kolonët militantë kundër popullsisë palestineze.

Izraeli është përgjigjur me zemërim ndaj këtij veprimi.

“Gjermania vazhdon të mbështesë sanksionet e mëtejshme në nivelin e BE-së kundër anëtarëve të lëvizjes radikale të kolonëve të Izraelit”, shtoi zëdhënësi.

“Me veprimet e saj shpesh të dhunshme, lëvizja e kolonëve jo vetëm që shkel të drejtat e njeriut, por gjithashtu nxit ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, gjë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

“Kjo dëmton perspektivat për një zgjidhje me dy shtete – në të cilën Izraeli dhe palestinezët mund të jetojnë në paqe krah për krah në shtetet e tyre”, sipas zëdhënësit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›