E Hënë, 2 Nëntor 2026

FRANCË -Bizhuteritë e Luvrit, Interpol dhe policia gjermane në kërkim

PARIS, 28 tetor /ATSH-DPA/- Policia Federale Kriminale e Gjermanisë dhe Interpol kanë bashkëpunuar në hetimin e vjedhjes së bizhuterive në Luvër.

Të dy agjencitë publikuan sot një foto të sendeve të vjedhura dhe kërkuan ndihmën e publikut për rikuperimin e thesareve. Interpol ka shtuar bizhuteritë pariziene në bazën e të dhënave për artin e vjedhur, e cila përmban rreth 57 000 objekte.

Vjedhja e kryer më 19 tetor, ku u morën tetë bizhuteri të kurorës mbretërore,  të vlerësuara rreth 88 milionë euro (102 milionë dollarë) nga hajdutë të maskuar si punëtorë ndërtimi, ka shkaktuar zemërim dhe kritika të ashpra mbi sigurinë e muzeut të famshëm.

Laurent Lafon, kreu i Komisionit të Kulturës në Senatin Francez, kërkoi përmirësime urgjente.

“Po përballemi me një organizim sigurie që nuk i përmbush pritshmëritë që mund të kishte një muze”,  tha Lafon  sot pas vizitës në Luvër , duke theksuar nevojën për përmirësime, përfshirë survejimin me video.

“Fakti që kjo vjedhje spektakolare ndodhi është një dështim”,  tha ministrja franecez e Kulturës  Rachida Dati. Ajo theksoi   “se sistemi i alarmit kishte funksionuar dhe stafi i sigurisë kishte ndjekur procedurat, por pranoi se  “vërtet kishte boshllëqe në siguri”.

Policia franceze arrestoi të dielën  dy të dyshuar të njohur më parë për vjedhje, të identifikuar përmes provave  të “ADN”-së.

Dy bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar mbeten të lirë, dhe bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë rikuperuar. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›