MINSK – Bjellorusia do të vendosë sistemin raketor “Oreshnik” të Rusisë në dhjetor

MINSK, 28 tetor /ATSH/- Bjellorusia do të vendosë sistemin e ri rus të raketave hipersonike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik në dhjetor”, raportoi sot agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, duke cituar Natalya Eismont, zëdhënësen e presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.
Eismont tha se përgatitjet ishin drejt përfundimit. Më herët, Lukashenko tha se dislokimi ishte një përgjigje ndaj asaj që ai e quajti përshkallëzim perëndimor.
Raketat “Oreshnik” u shfaqën në manovrat e përbashkëta ushtarake ruso-bjelloruse muajin e kaluar.
Rusia e përdori për herë të parë raketën “Oreshnik” – kundër Ukrainës në nëntor 2024, duke shënjestruar një kompani mbrojtëse në Dnipro.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se e kishte autorizuar sulmin si një hakmarrje për përdorimin e raketave amerikane dhe britanike me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina në territorin rus.
Më vonë ai kërcënoi me sulme të mëtejshme, duke përfshirë edhe “qendrat e vendimmarrjes” në Kiev, nëse sulme të tilla do të vazhdonin.
Putini tha se sistemi “Oreshnik” ishte i pamundur për t’u interceptuar dhe se kishte fuqi shkatërruese të krahasueshme me një armë bërthamore, megjithëse ekspertët perëndimorë i kishin vënë në dyshim këto pretendime. //a.i/