E Hënë, 2 Nëntor 2026

KINEMA – Vdes Prunella Scales, aktorja e njohur në serialin britanik “Fawlty Towers”

LONDËR, 28 tetor /ATSH/- Prunella Scales, aktorja e njohur për rolin e saj si Sybil Fawlty në serialin komik britanik të viteve 1970 “Fawlty Towers”, ka vdekur sot në moshën 93-vjeçare, sipas CNN.

Në “Fawlty Towers”, i konsideruar gjerësisht si një nga serialet televizive më komike të të gjitha kohërave, Scales iu dha roli i gruas së vuajtur të Basil Fawlty (i luajtur nga John Cleese) – një menaxher hoteli i pasjellshëm që dukej se ishte gjithmonë në prag të një krize nervore.

Seriali, i cili u transmetua në dy seri me gjashtë pjesë, në vitet 1975 dhe 1979, ishte një hit i madh në Britani të Madhe – i cili vazhdoi të bëhej një klasik kult në SHBA.

E lindur më 6 qershor 1932, Scales mori mbiemrin e vajzërisë së nënës së saj si mbiemrin e saj te artit.

Ajo studioi në Shkollën e Teatrit “Old Vic” në Londër, e më pas në “Herbert Berghof Studio” në Nju Jork.

Scales, e cila u vlerësua me CBE (Urdhri më i lartë i Perandorisë Britanike), në Listën e Nderimeve të Ditëlindjes së Mbretëreshës në vitin 1992 për shërbimet e saj në dramë.

Ajo u martua me aktorin britanik Timothy West në vitin 1963. Çifti ka dy djem, Joe dhe Samuel – ky i fundit gjithashtu aktor dhe regjisor, i cili luajti përkrah nënës së tij në filmin fitues të tre çmimeve “Oscar” në vitin 1992, “Howard’s End”.

Përveç “Fawlty Towers”, Scales pati edhe shume role të tjera, në triller-in e vitit 1978 “The Boys from Brazil”, ku luanin Gregory Peck dhe Laurence Olivier, dhe “Wolf” të vitit 1994, përkrah Jack Nicholson.

Scales dhe bashkëshorti i saj u shfaqën në ekran së bashku në “Great Canal Journeys”, një serial dokumentar për transmetuesin britanik “Channel 4”.

Në episodin e parë, i cili u transmetua në vitin 2014, çifti zbuloi se Scales vuante nga demenca, një sëmundje që e detyroi atë të tërhiqej nga një karrierë e jashtëzakonshme aktrimi prej gati 70 vitesh. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›