E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët, vaj pas kangjellave të morgut

Kangjellat e shërbimit të Mjekësisë Ligjore në QSUT kanë qenë streha ku janë lëshuar në vaj familjarët e të mbyturve në liqenin e Farkës. Dyert e hekurta të shërbimit ku mbaheshin kufomat e mbytura në liqen, kanë dëgjuar vajin e tyre dhe dëshirën për ta kthyer kohën pas. Në ato dyer familjarët kanë shfryrë të gjithë sikletin, sikur donin t‘u kërkonin atyre "llogari" për gjëmën e ndodhur, derisa kanë ardhur të afërmit për t‘i dhënë shpatullën ku të qanin dhe përqafime për t‘i ngrohur pak. Mes lotëve dhe hidhërimeve, familjarët kanë shkuar për të identifikuar zyrtarisht trupat e pajetë të të dashurve të tyre, që vetëm për pak orë kishin pushuar së marri frymë. Procedurat e verifikimit kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe më pas 16 trupat e pajetë janë përcjellë në shtëpitë e tyre për të vazhduar ceremonitë mortore.

Spitali "Nënë Tereza" dje ka qenë i mbushur me forca të policisë së rendit, me familjarë, të afërm e të njohur të 16 shqiptarëve që kanë humbur jetën në liqenin e Farkës. E për çudi, edhe pse kaq shumë njerëz në spital, ka mbizotëruar qetësia e ndihej vetëm hidhërimi dhe dhimbja e atyre njerëzve, që kishin humbur të dashurit në një ditë gëzimi, ditën kur festohej hareshëm një ditëlindje. Një përvjetor, i cili ishte mbyllur më shumë se me një hidhërim, më shumë se me një fatkeqësi, një ditëlindje që do të kujtohet gjithmonë si dita e një tragjedie që u mori jetën 16 personave të pafajshëm. Pamjet e dhëna orë pas ore nga televizionet kanë bërë që të afërm, miq e shokë të niseshin me vrap në morgun e Tiranës për të ngushëlluar ata njerëz të shokuar e të hidhëruar deri në palcë. Ata njerëz që po prisnin kthimin e familjarëve pas festimit të një gëzimi, në një nga restorantet në periferi të qytetit. "Kemi parë pamjet në televizor dhe u nisëm me vrap për në morg, u nisëm për të ngushëlluar të afërmit", tha një prej shokëve të njërit prej viktimave të tragjedisë. Ata kanë shprehur të gjithë ngushëllimin e tyre, sipas traditës shqiptare, duke qetësuar, duke ndezur cigare. Për të afërmit procedura e verifikimeve të të mbyturve ka qenë një procedurë e gjatë dhe e lodhshme...

Nga ana tjetër, katër të mbijetuarit kanë marrë ndihmën e shpejtë në urgjencën e spitalit dhe më pas janë larguar në shtëpitë e tyre për t‘u bërë gati për ceremoninë mortore. Më shumë se të lagur nga uji kanë qenë të traumatizuar teksa kanë parë duke vdekur të afërmit e tyre. "Nuk kanë qenë me pasoja për shëndetin, kanë qenë vetëm të lagur. Urgjenca, e cila ka shkuar në liqenin e Farkës i ka marrë ata dhe i ka sjellë në spital, por ata nuk kanë ndenjur shumë, janë larguar për në shtëpitë e tyre", thanë mjekët e rojës në QSUT. Sipas tyre, katër autoambulanca kanë mbërritur në vendin e ngjarjes sapo janë informuar për fatin e keq të 16 të mbyturve. Në orët e para të mëngjesit, dy ministrat, Nard Ndoka dhe Bujar Nishani, janë njoftuar për tragjedinë, ndërsa janë nisur menjëherë katër autoambulancat, palombarët e forcave të RENEA-s, si dhe forcat speciale të ushtrisë. Policia ka thënë se ka qenë shkak i vdekjeve një pakujdesi, kapaciteti i varkës nuk ishte për të mbajtur 20 veta, por vetëm 7. Psikologët thonë se kjo ngjarje mund të ketë pasoja psikologjike te të mbijetuarit. Por kjo ndoshta s‘do të ketë vetëm një efekt negativ tek ata, më mirë ajo të kthehet në forcë, për ta jetuar jetën në çdo çast dhe për t‘u kujdesur për jetën sikur të ishte dita e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›