Laboratorët, pika e dobët e poliklinikave
Projekti i dërguar kohë më parë në Ministrinë e Shëndetësisë për përmirësimin e kushteve të laboratorëve të sistemit parësor nuk kaloi as fazat e diskutimit. Ky projekt tashmë është lënë për t‘u realizuar pas vendosjes në vijë të punëve të tjera të konsideruara më me rëndësi. Sipas specialistëve të promocionit të shëndetit, ata që "thurin" politika për parandalimin dhe përmirësimin e kushteve të popullatës, duhet të kuptojnë se sistemi shëndetësor nuk mund të matet më nga numri i shtretërve. Analiza e rregullit dhe cilësisë nis nga shërbimet parësore, aty ku është dhe përballja e parë e qytetarit me shërbimin shëndetësor. Aktualisht, pika e dobët e qendrave parësore, janë laboratorët, të cilët shpeshherë kanë mungesa jo vetëm në infrastrukturë, mungesa me furnizimin me drita e ujë, por edhe me pajisje të nevojshme për të zhvilluar normalisht punën. Sipas specialistëve, sikundërse sistemi ynë shëndetësor ashtu edhe qendrat shëndetësore nuk mund të merren të shkëputura. Secila ka problematikat e veta.
Por, sistemi parësor ka një problem të përgjithshëm që është shërbimi i laboratorëve. "Një shërbim shëndetësor parësor i pajisur mirë, i kualifikuar dhe i konsoliduar në shumë aspekte duke zbatuar një sistem referimi, i zgjidh edhe qytetarëve pjesën më të madhe të nevojave duke liruar kështu edhe qendrat spitalore", theksohet në projektin e përmirësimit të shërbimit në parësor. Këtë vit, qeveria ka akorduar fonde të konsiderueshme për përmirësimin e këtij shërbimi, si në pajisje ashtu edhe në infrastrukturë. Por prioriteti që pritej nga ASHR-ja kur kishte në varësi parësorin ishte shërbimi i laboratorëve. Sipas këtij autoriteti, aktualisht në pjesën më të madhe të shërbimit kemi vetëm laboratorë klinikë. Ndërkaq, gjatë vitit 2007 janë ndërtuar një numër i konsiderueshëm ambulancash në shumë komuna dhe sapo ka filluar rikonstruksioni total i tri poliklinikave, në Tiranë.
Një problem i pazgjidhur mbetet ai i banorëve që mbulon poliklinika e 8-të, ku sipas drejtuesve, mjediset janë të pamjaftueshme. Një vit më parë, punonjësit shpresuan se ky problem do të gjente zgjidhje, me përshtatjen e ish-kaldajës së klinikës qeveritare për poliklinikën 8, por edhe sot ky shqetësim ende nuk është zgjidhur dhe situata ka mbetur e bllokuar edhe pse nga buxheti ishin akorduar fondet e kërkuara.