Aksidentet më të rënda të dekadës së fundit
9 janar 2004
Karaburun
21 veta humbën jetën në det, pak milje larg Karaburunit, kur një gomone e nisur drejt Italisë u bllokua nga moti i keq. Ngjarja e rëndë u zhvillua në sy të publikut, pasi dikush nga gomonia telefonoi në redaksinë e Top-Channel dhe të gjitha mediat transmetuan drejt për së drejti operacionet dështuara të kërkimit. Gomonia u gjet vetëm kur zbardhi 10 janari dhe asnjë nga klandestinët nuk kishte mundur t‘i mbijetonte të ftohtit.
15 tetor 2004
Fushë-Arrës
Një autobus me nxënës kosovarë të gjimnazit të Malishevës doli nga rruga dhe u përmbys në afërsi të Fushë-Arrësit, duke shkaktuar vdekjen e 15 të rinjve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Të rinjtë nga Kosova kishin ardhur të organizuar për një vizitë në Shqipëri. Ata kishin vizituar Tiranën, Krujën dhe Durrësin dhe kishin marrë rrugën e kthimit për në Malishevë, kur autobusi doli nga rruga në një kthesë të rrezikshme.
16 korrik 2006
Adriatik
Helikopteri që transportonte për në Itali ish-zv/kryeministrin Gramoz Pashko u rrëzua në detin Adriatik gjatë natës mes 15 dhe 16 korrikut. Pashko ishte plagosur në mesditën e 15 shkurtit, pasi kishte rënë nga një shkëmb në bregdetin e Dhërmiut. Në helikopter duke shoqëruar të atin ishte edhe djali i Gramoz Pashkos. Në këtë tragjedi vdiqën edhe dy pilotët e helikopterit, inxhinieri i fluturimit, një mjek dhe një ndihmësmjek.
12 mars 2007
Dukagjin
Një furgon me 13 veta në bord u rrëzua në një humnerë në rrugën Kir-Dukagjin, në malësinë e Shkodres. Furgoni u rrezua në lumë nga një lartësi prej rreth 170 metrash dhe për pasoje humbën jetën 10 pasagjere, ndërsa 3 të tjerë kanë mbijetuar. Fran Çuni, i cili i mbijetoi tragjedisë, ka ecur për orë të tëra derisa ka njoftuar për viktimat në një fshat të thellë. Zona në të cilën ndodhi ngjarja është rreth 2 orë larg nga qyteti i Shkodrës.