Fermerja nga Kavaja që përfitoi 30% parapagim nga Skema e Investimeve, ndërtoi serrën e perimeve për eksport

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Gentjana Dupi, në Kazaz të Kavajës, është një ndër fermeret përfituese nga Skema Kombëtare e Investimeve, për ndërtimin e një serre diellore për kultivimin e perimeve.
Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi vizitoi nga afër fermën e Gentjanës, teksa vuri në dukje se “investimi në këtë serrë, me një sipërfaqe prej 1 hektar, ka si destinacion tregun e jashtëm”.
Kuçi tha se, Gentjana e nisi investimin duke përfituar 30% parapagesë, dhe për të vijuar më tej, ka aplikuar edhe për Kredinë e Butë në bujqësi.
“Skema Kombëtare e Investimeve është një mbështetje konkrete për të gjithë fermerët që duan të modernizojnë apo zgjerojnë aktivitetin e tyre”, tha Kuçi.
Ajo bëri të ditur se, me 50% grant nga Skema Kombëtare e Investimeve dhe mbështetjes nga Kredia e Butë, e kombinuar me Garancinë Sovrane, fermerët dhe bizneset në bujqësi mund të përfitojnë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolaterali deri në 70%.
Gentiana tregoi se aplikoi shumë lehtë për mbështetje nga Skema Kombëtare e Investimeve.
“Përfitova 30% parapagim dhe nisa menjëherë me investimin, duke ndjerë lehtësim të kostove. Kam aplikuar për Kredi të Butë në bankat e nivelit të dytë, e kombinuar me Garancinë Sovrane, që do të më ndihmojë të çoj përpara investimin”, tha Gentiana.
Prej vitit 2018, qeveria ka rritur ndjeshëm vlerën në para në mbështetje të investimeve në bujqësi. Në vitit 2024 është nisi zbatimin skema kombëtare e investimeve me një buxhet 15 milionë euro ndërsa në 2025 qeveria pritet të miratoi skemën e re të investimeve për bujqësinë dhe blegtorinë me 9 programe, me vlerë 20 milionë euro me kohështrirje 2-vjeçare.
/e.xh//a.f//r.e/