Junior Eurovision 2025/ Shqipëria në Tbilisi, talenti 9-vjeçar përfaqëson vendin në skenën europiane

Kroni Pula pritet të ngjitet në skenën e Junior Eurovision 2025 për të përfaqësuar Shqipërinë me këngën “Fruta Perime”, plot ngjyra dhe pozitivitet, duke sjellë në skenën ndërkombëtare shpirtin dhe energjinë e fëmijëve shqiptarë. Kroni ka nisur provat në këtë kompeticion duke marrë duartrokitjet e para të konkurrentëve.
Junior Eurovision 2025 do të mbahet më 13 dhjetor në Tbilisi të Gjeorgjisë. Artistja 9-vjeçare u shpall fituese e edicionit të 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, duke rrëmbyer çmimin e madh në kategorinë “Junior” me interpretimin plot energji të këngës “Fruta Perime”. Kënga, e kompozuar dhe orkestruar nga Adrian Hila, mbart një mesazh të gëzueshëm dhe edukativ, që promovon ushqimin e shëndetshëm përmes ritmeve dinamike dhe vargjeve plot ngjyra e humor. Falë performancës së saj të shkëlqyer, Kroni do të ketë mundësinë ta sjellë këtë energji edhe në skenën ndërkombëtare të Tbilisit.
Edicioni i Junior Eurovision 2025 do të mbledhë në kryeqytetin gjeorgjian performues të moshës 9 deri në 14 vjeç nga 18 vende të ndryshme, të cilët do të ndajnë me publikun kreativitetin e tyre në një event që ndiqet nga miliona shikues në mbarë botën. Përveç Shqipërisë, në garë marrin pjesë edhe Armenia, Kroacia, Qipro, Franca, Gjeorgjia, Italia, San Marino, Mali i Zi, Portugalia, Polonia, Spanja, Ukraina dhe vende të tjera europiane.
Me “Fruta Perime”, Kroni Pula pritet të ngjitet në skenë me një performancë të gjallë dhe pozitive, duke sjellë shpirtin lozonjar te fëmijëve shqiptarë dhe duke përfaqësuar vendin me shumë dinjitet në një nga skenat më të rëndësishme muzikore për artistët e vegjël.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/