E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat e fundvitit, vende të ndryshme, mënyra të ndryshme

Parisi është si gjithmonë shik dhe nuk bëhet kurrë "tapë", ndërsa kinezët kanë marrë zakonet perëndimore të konsumizmit të shfrenuar. Në Kinshasa është festimet janë një shfaqje folklori më vete, ndërsa në Sidnei të gjithë jepen pas kriketit…

Parisi, Francë
Për parisianët asgjë nuk duhet tepruar dhe kjo vlen edhe për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e ri. Për ta, festimet janë pjesë e jetës dhe si pasojë duhet të jenë shumë shik. Sigurisht që u pëlqen të zbrazin xhepat nëpër dyqane me blerje që e tejkalojnë normalen. Dy javët e fundit të dhjetorit, të gjitha supermarketet e butikët u ngjajnë koshereve të bletëve vetëm se në dallim nga kombet e tjera, parisianët janë nazelinj dhe i sheh shpesh të ngrenë vetullat përpara mallrave, apo çmimeve që nuk u pëlqejnë. Madje, kur mendojnë se kanë të drejtë nuk ia përtojnë që të ngrenë zërin, duke e lënë mënjanë klasin. Po të hidhni një sy në dyqanet e rrugës "De Rivoli" do ta kuptoni mirë se ç‘do të thotë të bësh pazar në Parisin e fundvitit. Veç parfumit, ushqimi ndodhet në krye të listës së blerjeve për një parisian. Një nga delikatesat kryesore është "foie gras" ose "mëlçia e shëndoshë", e cila ndodhet në çdo tryezë. Të mos harrojmë edhe "buche de Noel" një lloj keku me çokollatë. Një nga vendet më të këndshme në Paris për të kaluar Krishtlindjet, por ehe festën e fundvitit është "La Coupole" një braseri madhështore në afërsi të Montparnasit. Aty mund të shijosh shampanjë si aperitiv në barin e lokalit e më pas të shkosh të hash fruta deti teksa kamerieret simpatike vijnë rrotull si flutura. Ky vend është pak a shumë tipikja e Parisit dhe nuk kushton kushedi se çfarë në krahasim me Londrën për shembull, që është jashtëzakonisht e shtrenjtë. Dita pas festimeve është zakonisht një ditë vuajtjesh. Fëmijët duan të rrinë në shtëpi e të luajnë, të rriturve u dhemb stomaku dhe koka nga shpenzimet dhe detyrimet që kanë ende për të kryer. Nuk ka ndeshje futbolli dhe madje as ulje çmimesh. Ato fillojnë në mesin e janarit.

Venecia, Itali
Në lagunën e famshme festa më kryesore e fundvitit është Krishtlindja. Edhe pse shumëkush ende është në punë, përsëri dyqanet janë plot me njerëz. Në mesditën e datës 24 kafenetë dhe baret përgjatë kanalit Misericordia, por për të thithur vërtet ajrin e festës të duhet të shkosh në rrugën "Strada Nuova" prej së cilës shkohet në urën "Rialto". Aty gjendet tregu shumëngjyrësh i Krishtlindjeve që funksionon deri në ditët e para të vitit të ardhshëm. Çmimet janë shumë të arsyeshme. Për sa u takon ushqimeve ato mund të blihen në tregun "Rialto" në anën tjetër të Kanalit të Madh. Për të shmangur gjullurdinë e madhe që shkaktohet edhe për shkak të turistëve të shumtë, bashkia e qytetit vë në dispozicion të gjitha gondolat që ka. Sa për ushqimin tradicional të Krishtlindjeve ai konsiston i gjithi në peshk që do të thotë se kasapët braktisen tërësisht, ndërsa dyqanet e peshkut janë mbushur me njerëz që mbushin trastat me prodhimet e detit. Pjata tradicionale quhet "bisato su l‘ara" e cila vjen si recetë që nga shekulli i 16 dhe thuhet se ishte pjata e pëlqyer e doxhit Andrea Griti. Kryesorja është që ushqimi i peshkut është i lehtë dhe i shëndetshëm. Edhe pse lokalet më të mira të Venecias ofrojnë mbrëmje të paharrueshme, venecianët preferojnë që Krishtlindjet t‘i kalojnë në gjirin e familjes, ndërsa festën e fundvitit jashtë. Në fund të ushqimit të bollshëm me bazë peshkun të gjithë preferojnë "pandoron" ose buka e artë e shoqëruar me grapa. Në mesnatë, pastaj, është momenti i hapjes së dhuratave. Një nga gjërat më të jashtëzakonshme që nuk mund të lësh pa parë nëse je në Venecia për Krishtlindje është mesha e madhe në Sheshin e Shën Markut. Sheshi, në fakt, mbushet nga turistët e huaj, pasi vendasit preferojnë që meshën e Krishtlindjeve ta kryejnë në kisha më të vogla.

Kinshasa, Republika Demokratike e Kongos
Festimet në këtë vend nisin me Krishtlindjet. Njerëzit zbukurojnë bredhat dhe shkojnë në kishë me veshjet më të mira. Aty qëndrojnë për shumë orë duke kërcyer dhe kënduar pjesët më të bukura të folklorit të tyre. Prifti bën meshën në frëngjisht dhe lianala, gjuha vendase. Banorët falënderojnë Zotin për gjithë ndihmën që u dha gjatë vitit dhe e lusin që të vazhdojë t‘i ndihmojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. E veçanta është se mesha shoqërohet me shumë momente të tjera festimesh tipike vendase. Njerëzit janë të gëzuar e të zhurmshëm të pakën natën e Krishtlindjeve, pasi gjatë ditëve të tjera jeta nuk është e lehtë. Energjia elektrike është kthyer në luks dhe njerëzit, të paktën ata që kanë njëfarë ekonomie, përdorin më shumë gjeneratorët, por ata janë të shtrenjtë. Ushqimi tradicional është pula e pjekur e shoqëruar me një lloj lakre të veçantë dhe më pas si ëmbëlsirë keku, ose biskotat. Ndoshta në tryezë mund të vihet edhe ndonjë shishe verë, por kjo është e rrallë gjithsesi. Pas darke, si rregull fëmijët kanë dhurata, por edhe në rast se nuk kanë ata nuk e bëjnë tragjedi. Pas darkës, meshkujt zakonisht dalin nëpër klube dhe harbohen deri në mëngjes. Krishtlindjet dhe festa e fundvitit janë një nga gëzimet e pakta për familjet e Kinshasës, pasi të paktën në këto ditë kanë mundësinë e të qenit bashkë.

Moskë, Rusi
Dimri në Moskë nuk ka shumë avantazhe, veç njërit: bora gjendet me bollëk. Në krahasim me vendet e tjera ndryshimi për Moskën është se data 25 dhjetor nuk është pushim, ajo është një datë si gjithë të tjerat. Rusët i festojnë Krishtlindjet 13 ditë më vonë më 7 janar. Sipas kalendarit julian, ajo është data e lindjes së Krishtit. Deri para revolucionit të vitit 1917, rusët festonin më 25 si kudo gjetkë, por komunistët bënë ç‘ishte e mundur që të çrrënjosnin si Krishtlindjet ashtu edhe Shën Nikolasin duke e riemërtuar atë Babagjyshi i Vitit të Ri. Pikërisht kjo periudhë u shndërrua në festën më të rëndësishme në Rusi. Gjatë ditëve të fundvitit, Moska kthehet në një qytet krejtësisht kaotik. Numri i automjeteve shtohet me 25% dhe të gjithë rendin pas blerjeve. Bashkë me stinën e festave nis edhe "stina" e të pirit. Jo se rusët nuk pinë gjatë vitit, por tani në ditët e fundit të tij gjejnë një sebep më shumë. Për sa i takon ndarjes së dhuratave, ajo bëhet jo për Krishtlindje, por për Vitin e Ri. Rusët përdorin për dollinë e fundvitit shampanjën "Sovietski". Që nga rënia e komunizmit, festimi i Krishtlindjeve sa vjen e po shndërrohet në një traditë, por me shumë ngadalësi. Fetarët, sigurisht që shkojnë në kishë, ndërsa për ata që nuk besojnë data 7 është thjesht një ditë pushimi.

Pekin, Kinë
Një vend si Kina ku feja nuk propagandohet, Krishtlindjet reduktohen në festa personale: hahet, pihet dhe gëzohet. Për sa i përket festës së ndërrimit të viteve, ajo nuk është si në pjesën tjetër të botës, por më 7 shkurt, pra atëherë kur fillon edhe Viti i Ri për kinezët. Ky është edhe momenti i festimeve më të mëdha dhe i shkëmbimit të dhuratave. Për sa u përket kinezëve, imazhin e Santa Klausit ata e lidhin me atë të Budës. Të dy janë të shëndetshëm e buzëqeshës. Megjithatë, nga viti në vit festa e Krishtlindjeve sa vjen e po gjen më shumë terren. "Ethet" nisin javën e parë të dhjetorit me dyqanet e galeritë që zbukurohen e presin bumin e blerjeve të vitit. Banorët e Pekinit e kanë shumë për zemër shpenzimin dhe gjejnë çdo rast të mundshëm për të nxjerrë para nga xhepat. Tashmë është bërë traditë që fëmijët përveçse për fundvit të marrin dhurata nga prindërit edhe me rastin e Krishtlindjeve. Pak vite më parë, alternativa më e mirë për një pemë krishtlindjesh ishin bredhat natyrorë, por me zgjerimin e traditës kanë filluar të shiten me shumicë pemë artificiale dhe zbukurime të të gjitha llojeve dhe ngjyrave. Dita e Krishtlindjeve është zyrtarisht një ditë pune, por pjesa më e madhe e njerëzve marrin ditë nga pushimi i tyre vjetor për të festuar në shtëpi. Me këtë rast organizohen mbrëmje festive kolektive ku edhe pihet alkool pak më shumë se zakonisht. Pak nga pak ka nisur edhe konfigurimi i një menyje tradicionale me rastin e Krishtlindjeve në qendër të të cilës është mishi i patës.

Delhi, Indi

Gjatë viteve të sundimit britanik, familjet angleze të përmalluara për vendin e tyre bënin përpjekje të mëdha që të krijonin një atmosferë festive në Indi në prag të Krishtlindjeve deri në festën e fundit të vitit. Në Kalkutë organizoheshin ballo me maska, e mbrëmje mondane, ku merrte pjesë shoqëria e lartë e vendit. Në këto mbrëmje Krishtlindjesh Babagjyshi i Krishtlindjeve hynte në skenë në kurrizin e një elefanti të madh. Por kohët kanë ndryshuar dhe peizazhi politiko-kulturor dhe ekonomik i Indisë ka ndryshuar dhe tani britanikët e malluar mund të merrnin avionin e të kthehen në shtëpitë e tyre me rastin e festës. India ka 13 milionë të krishterë, por pjesa më e madhe e tyre jeton në jug të vendit. Edhe pse Krishtlindja është një ditë pushimi kombëtar, kjo ditë nuk mund të krahasohet me festat vendase për nga gëzimi dhe aktivitetet. Me pak fjalë, Krishtlindjet në Indi janë një festë që i përket një pakice të popullsisë vendase dhe komunitetit ndërkombëtar.

Sindei Australi
Është momenti kur të gjithë përgatiten për të festuar, sidomos ata që janë nëpër plazhe. Vijnë nga Evropa e mbuluar nga bora për t‘i pritur festat me kostume banje e birra të ftohta në duar. Darka e Krishtlindjeve është një darkë tradicionale ku të gjithë zënë vend pranë tryezës para kaposhit të pjekur e delikatesave të tjera, ndërkohë që jashtë temperatura i kalon të 40 gradët. Ushqimi është tipik britanik, pra nuk mund të përjashtosh pudingun e famshëm. Pas të ngrënit, të gjithë preferojnë të kalojnë ditën e pushimit sipas dëshirës. Një pjesë e madhe jepen pas kriketit.

Qyteti i Meksikës, Meksikë

Nëse do të kalosh Krishtlindjet në Meksikë, atëherë sigurohu të kesh me vete shumë lule të kuqe. Vendasit mendojnë se lulet e kuqe sjellin fat për vitin e ardhshëm. Meksikanët i marrin shumë seriozisht besëtytnitë ndaj vendosin lule të kuqe kudo në shtëpi. Në Zocalo, sheshin kryesor të kryeqytetit dhe sheshin më të madh të akullt në botë zbaviten të gjitha moshat pleq e fëmijë, ndërsa qyteti gëlon nga njerëzit që kërkojnë të gjejnë pemën perfekte të Krishtlindjeve për të krijuar një ambient sa më të bukur në shtëpitë e tyre. Një tjetër karakteristikë është se rrugët mbushen nga muzikantë që gjatë gjithë kohës luajnë variacionet e këngëve të Krishtlindjeve. Darka e Krishtlindjeve është më e madhja dhe më e rëndësishmja për familjet meksikane. Një tryezë tradicionale duhet të përfshijë patjetër gjelin e detit, biftekë, ose rosto dhe shumë sallata, të llojeve të ndryshme. Në çdo qytet të Meksikës organizohen procesione ditën e nëntë para Krishtlindjeve, të cilat quhen "posada". Është një ceremoni që simbolizon gjithë vuajtjet e Marias dhe Jozefit për të gjetur një vend të përshtatshëm për të sjellë në jetë Jezusin. Gjatë posadave njerëzit zhvillojnë shumë aktivitete të bukura, kryesisht për fëmijët. E ndërsa fëmijët e Evropës Perëndimore presin Santa Klausin më 31 dhjetor, meksikanët duhet të presin deri më 6 janar që të marrin dhuratat e fundvitit. Kjo është edhe data kur tre mbretërit vijnë të ngarkuar me dhurata dhe gëzim për të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›