E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati tu...me penel në dorë

Dualiteti profesional nuk është ndonjë gjë e re te njeriu. Më tepër ka bërë përshtypje klarshillëku që një dell a një profesion i ka bërë tjetrit brenda të njëjtit tip njeriu, që zakonisht priret të gjejë pikën e artë të ekuilibrit mes të dyjave. Le të shkojmë më tej. Një ushtarak që edhe shkruan apo që përgjithësisht ka shpirt artisti, duke e shfaqur këtë në disa drejtime. Edhe kjo nuk është ndonjë çudi e madhe. Por nuk është prirja ta quajmë patjetër çudi rastin e Robert Përmetit, që dje mbylli një ekspozitë "Retrospektivë" me 80 punime të tij, që datojnë që në vitet ‘70-të. Jo, Robert Përmeti është thjesht një rast unikal, të paktën në artin shqiptar, që si ushtarak karriere, paralel ka ushtruar dhe pikturën e jo thjesht si një i pasionuar, një amator që në kohë të lirë, harxhon bojëra e kanavacë pa fund, duke u zhytur në pellgje narciste për t‘i thënë vetes me patjetër piktor si dhe oficer. Ai që e ka parë ekspozitën e tij këto ditë, do jetë bindur patjetër për të kundërtën, e do të ketë pyetur: Ku ka qenë më parë?! Ish- ushtaraku i lartë Robert Përmeti, deri vonë një nga kuadrot më të rëndësishëm të Ministrisë së Mbrojtjes, dizajnuesi i uniformës së sotme të të gjitha niveleve të ushtrisë shqiptare, duke qenë njëherësh dhe heqësi i yllit mbi kapele e kopsa xhaketash, prezantoi disa nga punimet më të arrira të tij, ku disa prej tyre, i ka rigjetur pas vjedhjes e zhdukjes. Rastin më flagrant e ka me një portret të Skënderbeut, të cilin ia ka parë një ditë të varur në zyrë ish-eprorit të tij, ish-ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulalit. "I thashë: Z. Ministër, e dini që ai portret është punë e imja? Dhe e dini që mua më është vjedhur dhe se tani po e shoh rastësisht te ju?", kujton ish-lejtant kolonel Robert Përmeti dialogun e tij me Zhulalin, të cilin e vlerëson si ndër ish-ministrat më dinjitozë me të cilët ka punuar. Të rigjetura, ushtarako-piktori ka dhe dy tablo të tjera të mëdha, ku në njërën parakalojnë marinarët anës detit, e në tjetrën, një trajner volejbolli mobilizon vajzat, duke kërkuar patjetër fitore. "Të gjitha punët, janë bërë me modele, me persona realë, të cilët përgjithësisht kanë qenë miqtë, shokët e të njohurit e mi", thotë Përmeti. Tematikat ushtarake bien në sy dukshëm në punimet e tij. Dhe kjo është e kuptueshme. Ai shprehet se jeta e tij, është endur gjithnjë mes karrierës ushtarake e asaj artistike. Por duhet ta theksojmë dhe njëherë që këtë të dytën, Përmeti nuk e ka thjesht pasion. Ai përveçse është shkolluar si ushtarak deri në nivelet më të larta akademike, ka përfunduar gjithashtu dhe studimet në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Arteve Pamore, pasi ka përfunduar gjithashtu dhe Shkollën e Kulturës. Studimet për pikturë, specialisti, skenografi e kostumografi, ia dedikon më së pari jo thjesht talentit të tij, por ndërhyrjes së Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos. "Ishin ata që ndërhynë fuqishëm për studimet e mija, pasi unë nuk e dija që kisha fituar studimet e larta, në një kohë që me detyrë isha në Fier", kujton Përmeti. Paradoksi i jetës së tij qëndron në faktin se i ati, një ish-ushtarak i lartë, Pandeli Përmeti, i goditur nga regjimi i Hoxhës, së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes, e yshte që në fëmijëri që të vizatonte, duke parë një talent tek i biri. Ndërsa ky i fundit, krahas lapsit e më vonë penelit, do të "rrëmbente" dhe armën, për t‘u bërë një ndër oficerët me nivelin më të lartë të formimit profesional në radhët e ushtrisë shqiptare. Përmeti thotë se e ka gjetur atë pikën e artë të ekuilibrit mes profesionit si ushtarak e atij si piktor. Punët e tregojnë vetë këtë pikë. Është e natyrshme ekzistenca te to e motiveve nga jeta ushtarake. Pa dyshim. Por është befasuese larmia e motiveve, duke pasur parasysh identitetin e tij si ushtarak. Motivet përfshijnë një pjesë të mirë të universit jetësor e njerëzor. E shprehur kjo dhe me tematika të shumta. Ajo që i intereson më pak Robert Përmetit është rryma. Për të, nuk ka rrymë. Ai lëviz e ecën kudo e në çdo lloj udhe që t‘i vijë për mbarë. E rëndësishme më pas është finalja, ajo që i prezantohet publikut.

Shumë punime të Robert Përmetit ndodhen sot në vende të ndryshme të botës. Dy prej tyre madje, ndodhen dhe në Akademinë e Uest Point-it në SHBA, si dhe në Pentagon, dërguar atje nga ish- ministri i Mbrojtjes, Zhulali. Ndërsa ekspozita që qëndroi e hapur për disa ditë në ambientet e Muzeut Kombëtar, ishte e para pas viteve ‘90-të. Në fund, një ndër tablotë që bie në sy, është ajo e tre siluetave, dy burra e një grua të realizuara në një mënyrë jo të zakontë. Një prej burrave është një krijesë e përçundshme me veshje prej të forti, plot zinxhirë floriri në duar e qafë, por që në njërën këmbë ka këpucë e në tjetrën opingë; sakaq me njërën dorë mban celularin e me tjetrën kruhet në vend delikat. Tërësisht i shpifur, ai përfaqëson lakeun, atë lloj dobiçi që bën një mijë të zeza në emër të shefit, sipas shpjegimit të autorit. Shefi është në krah të tij; bark-kërcyer e me një dosje ndër sqetull, faqefryrë dhe i qullur nga mbipesha, me një fizik të rënduar e kokë të mbuluar me një lloj qelesheje. Për autorin, ai përfaqëson politikanin e sotëm që ngjan me një rrotë...(cilësorët shoqërues mund të jenë disa llojesh). Para tij, është ulur në mënyrë mëshirëndjellëse një grua e rënë nga vakti që me dorë të shtrirë, pret në pëllëmbë të saj një prezervativ që po ia jep një politikan. Është simbol i shterpësisë, thotë piktori. Tabloja është ndër punët e fundit të Robert Përmetit dhe jo e përfunduar tërësisht. Prej disa vitesh, ai nuk është më ushtarak. Nga jeta nën uniformë ka ende pa mbyllur një gjyq, për të fituar të drejtën e autorit të uniformës së re të ushtarakut shqiptar. Ndaj që sot e tutje, do mund ta shohim të gjithin si piktor e me veprën në fjalë të përfunduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›