Fier, katërmijë kosovarë marrin rrugën për vendlindje
Rreth katërmijë, nga 11 mijë kosovarët që jetojnë në Rrethin e Fierit, ndodhen sot në Kosovë, për të pritur orën e madhe të shpalljes së pavarësisë. Nëpër shtëpitë e kosovarëve, që përbëjnë gati 20 për qind të popullsisë së Fierit, kanë mbetur kryesisht gratë, fëmijët e të moshuarit. Pjesa më e madhe e të rinjve kanë shkuar tashmë në trevat e tyre, kush me vetura e kush me autobus. Kreu i Shoqatës "Kosova" në Fier, Muharrem Gurguri, i cili ka marrë udhën drejt vendlindjes mëngjesin e djeshëm, tha se gjashtë autobusë me nga 60 veta secili janë nisur drejt Kosovës në orët e para të mëngjesit, ndërsa mbi 300 automjete të vogla private janë nisur drejt Kosovës gjatë dy ditëve të fundit. Gjithashtu, në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve në Fier konfirmohet se janë dhënë mbi 600 patenta ndërkombëtare dhe se aplikuesit janë shprehur se i duan për në Kosovë. Edhe dje, në ditë pushimi, Drejtoria e Shfrytëzimit të Automjeteve ka qëndruar në shërbim, për t‘i ardhur në ndihmë komunitetit të interesuar për patenta ndërkombëtare, me qëllim ikjen drejt Kosovës. Ndërkohë, kreu i organizatës "Bashkimi Shqiptar i Kosovës dhe Çamërisë", Genci Llakaj, thotë se ka organizuar një lëvizje të madhe nga i gjithë jugu i vendit, për të marrë pjesë në festën e pavarësisë së Kosovës. "Janë 10 autobusë që u vunë në dispozicion për të gjithë Jugun e Shqipërisë, të cilët mbrëmjen e së shtunës do të mbërrijnë në Prishtinë. Nisja e tyre është bërë përgjatë gjithë ditës së shtunë dhe për mëngjesin e së dielës është lënë në dispozicion një numër tjetër mjetesh". Nga të dhënat që japin shoqata të ndryshme atdhetare në Fier, konfirmohet se afro 4 mijë persona, shumica e të cilëve kosovarë, kanë ikur nga Fieri drejt Kosovës. Komuniteti çam i Fierit nuk ka mbetur prapa në organizimin e festës së pavarësisë së Kosovës. Kryetari i degës së Partisë për Drejtësi dhe Integrim në Fier, Asip Demo, thotë se 3 autobusë të mëdhenj, të mbushur me anëtarë të komunitetit çam të Fierit, janë nisur drejt Kosovës. Organizimi i tyre është bërë nga shoqata "Çamëria" dhe nga dega e PDI-së për Fierin. Me gjithë angazhimin maksimal, shoqatat atdhetare nuk kanë mundur të sigurojnë udhëtimin për në Kosovë të të gjithë atyre qytetarëve të Fierit që kanë dashur të shkojnë atje. Shumë do të duhet ta festojnë në qytetin e tyre ditën e madhe. Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka marrë të gjitha masat për të përballur festën e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë sa më të qetë. Sipas drejtorit Arjan Bozhaj, është rritur numri i kontrolleve policore dhe i shërbimeve, veçanërisht në lagjet që janë të njohura si qendra ku jetojnë kosovarët. "Janë dubluar shërbimet dhe e gjithë policia e Fierit është në gatishmëri. Qarkullimi në qytet do të ndërpritet gjatë orëve të festës", - thotë Arjan Bozhaj. Nga ana tjetër, krerët e pushtetit vendor në Fier u mblodhën dje në një takim emergjent, për përcaktimin e masave të përbashkëta për hartimin e programit të aktiviteteve me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas kryebashkiakut Baftjar Zeqo, janë marrë të gjitha masat për ta shndërruar plotësimin e ëndrrës dhe aspiratës shekullore të kosovarëve, në një festë popullore.