Sot nuk ndryshon vetëm harta
Me ç‘duket, sot marrin fund thashethemnajat popullore më së shumti të yshtura nga burime diplomatike në lidhje me ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pra, paska qenë 17 dhe jo 7.
Sidoqoftë kjo ka pak rëndësi: nëse në orën 15:00, ashtu sikundër është paralajmëruar tashmë, pas propozimit të Thaçit, Parlamenti i Kosovës do të shpallë pavarësinë, shumë gjëra do të ndryshojnë. Së pari, do të kemi një nga rastet jo dhe aq të shpeshta në botë kur vihet në vend një padrejtësi historike.
Së dyti, do të kemi një eksperiencë gjithashtu jo shumë të shpeshtë, të procesit të njohjes shtet pas shteti, derisa të mbërrihet te njohja nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Së treti do të kemi një rideklarim të një autoriteti (për të shmangur termin jo rrallë edhe pezhorativ "superfuqi") të ri të rendit botëror: të Evropës së Bashkuar, që për herë të parë qysh se është krijuar përballet me një sprovë të tillë.
Së katërti, siç e paskesh thënë edhe Sarkozi, do të kemi edhe një ndryshim të hartës së Evropës.
Së pesti, një flamur më shumë.
Së gjashti, me këtë akt merr fund procesi i shpërbërjes së një shteti multinacional, siç ka qenë Jugosllavia dhe që sigurisht nuk ka qenë qëllimi i këtij akti…
Aradha e pasojave të një akti të tillë është e pafund, ashtu siç janë të pafundme edhe opsionet që shoqërojnë lindjen e një krijese të re. E, në emocionin njerëzor të selitur me ndjenjë nacionale, këndvështrimet, ashtu si edhe aradha e parashikimeve, është e pafund. Me kalimin e ditëve gjërat do të zënë vendet e veta të normalitetit dhe njerëzit do të përballen me sfidën e përditshmërisë së një shteti të ri, pavarësisht asistencës së domosdoshme ndërkombëtare, e cila na nevojitet ne dhe nuk realizohet aspak për të kënaqur ambiciet e dikujt tjetër.
Prandaj le të japim edhe ne kontributin tonë modest në këtë ngazëllim emocional, duke folur së pari për përfituesit, pasi në analizë të fundit një ditë fitoreje është kjo e sotmja. Dhe është një fitore shumëplanëshe, siç do përpiqemi ta shkoqisim më poshtë.
Pa asnjë dyshim, përfituesit më të mëdhenj të asaj që ndodh sot në Kosovë, janë vetë kosovarët, dhe kur them kosovarët kam parasysh të gjithë ata që jetojnë në territorin e saj, pavarësisht kombësive. Shqiptarët formalizojnë kështu një realitet që kanë vetëm pak vjet që e jetojnë, atë të mospersekutimit nacional. Dilemat dhe gjendja e paqëndrueshme që i shoqëron ato sot duhet të marrin fund. Dhe kanë të drejtë të jenë kështu edhe festuesit e parë. Nga ana tjetër lëvizjet e kohëve të fundit të Thaçit janë një provë e sinqertë që mbetet të verifikohet në vijim se ky shtet i ri nuk ka për të përsëritur gabimet e njohura dhe fajet historike të Millosheviçit, pra diskriminimin e pakicave. Të pakicave në kuptimin më të gjerë dhe më bashkëkohor, në atë kuptim që respekton sot Evropa e Bashkuar së cilës shpejt do t‘i përkasë edhe Kosova, së bashku me rajonin ku bën pjesë. E, në këtë arritje të së ardhmes që nuk do ta dëshironte askush të largët, do të doja të rilevoja një fakt që për fat të keq librat e mëvonshëm të historisë sonë e kanë shmangur nën trysninë nacionaliste: faktin që zonja e nderuar Edith Durharm e sjell në udhëpërshkrimet e veta. Gjatë vizitës në kullën e Isa Boletinit ajo vëren, për hir të së vërtetës jo pa habi, se thuajse gjysma e rojave të Isës - në Mitrovicën e sotme problematike, - ishin serbë.
Përfituesit e dytë në një kuptim më të gjerë janë shqiptarët në përgjithësi.
Së pari sepse, edhe pse jo të plotë, përjetojnë vënien në jetë të një padrejtësie të pranuar botërisht si historike, dhe;
Së dyti, sepse edhe politika e jonë e brendshme do të çlirohet nga përdorimi, shpeshherë banal, spekulativ dhe abuziv i çështjes kombëtare për interesa të pushtetit partiak apo vetanak. Përveç faktit se edhe "de jure" tashmë ne do të kufizohemi me një shtet të dytë shqiptar, që përthyhet në mënyrën e vet në siguri, në zhvillim ekonomik, në riformatim tregjesh e interesim të ndryshëm investitorësh.
Pavarësisht se duket paradoksale, i treti në radhën e përfituesve mbetet shteti i Serbisë dhe kombi serb në përgjithësi. Jashtë dhe larg një vështrimi primitiv që mbështetet mbi konceptet e forcës, pavarësia e Kosovës shënon edhe aktin e "pavarësisë" dhe "çlirimit" të Serbisë nga Kosova. Pavarësisht se duket si një paradoks, kjo është e vërtetë. Kush ka ndjekur me vëmendje zhvillimet jo vetëm të së shkuarës, por edhe të viteve të fundit, e ka kuptuar se pavarësisht largimit të Millosheviçit nga skena politike e Serbisë, millosheviçizmi me rrënjë në një histori aspak të lavdishme nacionaliste, vazhdonte të mbante "robinë" politikën e shtetit serb. Jo rrallë paaftësia e klasës politike të vendit fqinj për t‘u përballur me domosdoshmërinë e reformave të nevojshme për zhvillim, është devijuar duke ripërtypur si lëndë të parë pikërisht nacionalizmin e vjetër serb që kishte në themel nënshtrimin e Kosovës dhe më pas, në pamundësi (për shkak të prezencës ndërkombëtare që shoqëroi aksionin ushtarak), të rikthimit të gjendjes më të hershme, me një status konform kartës së Kombeve të Bashkuara në lidhje me sovranitetin, duke anashkaluar dhe bërë nul një tjetër parim të po kësaj karte: të drejtën e vetëvendosjes.
Mbajtja gjallë e kësaj fryme demode të nacionalizmit të perënduar, nuk bën asgjë më shumë se sa e pengon vetë Serbinë në rrugën e saj të integrimit evropian. Dhe, - paradoks mbi paradoks, - kjo është një pengesë që e paguan në mënyra dhe masa të ndryshme jo vetëm Serbia, por i gjithë rajoni, ashtu siç paguan edhe problemet e brendshme të Maqedonisë, mosmarrëveshjet e saj me Greqinë, ashtu siç paguan mosfunksionimin e dëshiruar të Bosnjë Hercegovinës. Sepse duam nuk duam, ne tani jetojmë në një realitet global.
E, në këtë kuptim, edhe pavarësia e sotme e Kosovës, nuk ka për të qenë asnjëherë ajo që do të mund të ishte këtu e ndoca vite të shkuara, sepse në realitetet që sa vjen e bashkohen, konceptet për sovranitetin kanë ndryshuar gjithashtu. As Gjermania, as Franca, as Spanja nuk janë më "sovrane" sipas konceptit tradicional sa kohë i bashkërendojnë interesat e veta kombëtare me ato evropiane në veçanti dhe me ato botërore në përgjithësi.
E, në këtë këndvështrim edhe pavarësia e sotme e Kosovës, ka për të qenë thjesht dhe qartë vënie një pjese të konsiderueshme të sovranitetit të saj në varësinë e së ardhmes evropiane. Është një varësi që e dëshirojmë të gjithë dhe që do të kërkojë jo vetëm një approach të ri ndaj këtyre realiteteve dhe ambicieve të reja, por edhe një mentalitet domosdoshmërisht të ri.
Udha na qoftë e mbarë!