Sfidat e paqes në Kosovën e pavarur
Provokacione të veçanta, ende të paidentifikuara, paralajmërime për protesta nga pakica serbe, apo dhe kërcënimet e qeverisë së Serbisë dhe Rusisë e të ndonjë qeverie tjetër që synojnë të pengojnë pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj në arenën ndërkombëtare, përbëjnë reminishenca të një kohe të vjetër dhe një nacionalizmi të egër dhe megaloman, që tashmë përjeton fundin e tij. Qeveritë e Kosovës të pasluftës së vitit 1999 kanë ditur të përballojnë me maturi të mjaftueshme të gjitha sfidat e rrezikshme të deritashme, në funksion të ndërtimit të një paqe të qëndrueshme në vend, me rëndësi jetike për tërë Ballkanin dhe më gjerë. Hashim Thaçi, ky lider i ri i Kosovës së re, në procesin e përballimit të sfidave të paqes diti të transformojë vetveten nga një "gjeneral" i UÇK-së në një "gjeneral" të Paqes i Kosovës së pavarur. Në këtë kontekst, mjaft kuptimplotë dhe simbolik ishte edhe "shugurimi" i tij para dy javësh në Prishtinë si "Ambasador për Paqen" nga drejtues të lartë të Federatës Universale të Paqes me qendër në Nju Jork.
Pas një aspirate shekullore për pavarësi, kjo ëndërr e shumëpritur mes privacioneve të kohërave po prek cep më cep çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës dhe çdo zemër të qytetarëve të saj. Tërë bashkëkombësit e saj në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, tërë shqiptarët që kanë ngritur jetën e tyre në vende të ndryshme të globit, përjetojnë me të njëjtën ndjenjë të thellë emocioni, dashurie dhe krenarie këtë ngjarje vitale të papërsëritshme për nga madhështia dhe rëndësia e saj. Tërë vendet e qytetëruara, kampione të lirisë e demokracisë, që mbështetin fuqishëm pa asnjë ekuivok pavarësinë e Kosovës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe një shumicë tjetër vendesh të kontinenteve të tjera që është bashkëngjitur në procesin e njohjes së menjëhershme të pavarësisë së Kosovës, përjetojnë gatishmërinë e tyre në këtë ditë të veçantë.
Sidoqoftë, në këtë ditë të veçantë, por edhe pas saj, tërë media botërore do të jetë e fokusuar në faktin se çfarë do të ngjasë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e deri në ditën e njohjes së saj të plotë. Në fakt, ky interesim i fokusuar i medias botërore mbi këtë çështje do të thotë se sfida e paqes do të jetë një proces që Kosova e pavarur do të duhet ta përballojë në mënyrë të vazhdueshme për një kohë relativisht të gjata. Sfida e parë dhe më kryesore që qytetarët dhe institucionet e saj qeverisëse duhet të përballojnë, do të jetë vetëpërmbajtja ndaj dallgëve të mëdha të gëzimit deri në një lumturi masive popullore, që këto të mbeten brenda një kufiri njerëzor dhe të mos kthehen në një cunam të rrezikshëm për vetë Kosovën dhe tërë qytetarët e saj. Ndonëse Kosova e ka ndërtuar infrastrukturën psikologjike dhe shpirtërore të nevojshme për ta administruar procesin e vetëpërmbajtjes në ditën e shpalljes së pavarësisë së saj dhe të ditëve të para që do të pasojnë atë, është e domosdoshme vigjilenca e vazhdueshme për kapërcimin e kësaj sfide të parë për mbrojtjen e paqes në vend.
Sfida e dytë dhe, po aq e rëndësishme për Kosovën, qeverinë dhe qytetarët e saj, është menaxhimi i kujdesshëm me shkallë të lartë tolerance i protestave të paralajmëruara nga pakica serbe kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që sigurisht vatrën e kanë në politikën primitive dhe ende të rrezikshme të Beogradit, me prapavijë dhe njëkohësisht avangardë, Rusinë, politika e së cilës ka filluar të shfaqë rrezikshëm reminishencat e regjimeve të shkuara. Sigurisht, në përballimin e kësaj sfide, bashkëpunimi me misionet e Bashkimit Evropian dhe të UNMIK-ut ende në funksion, do të jetë i rëndësishëm dhe vendimtar, por qëndrimi i drejtpërdrejtë i qeverisë së Kosovës dhe sidomos i qytetarëve të saj, ka vlera jetike të jashtëzakonshme, si indikatori më sinjifikativ për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës paqësore multietnike.
Sfida e tretë do të përcaktohej si sfida e durimit qytetar ndaj statusit "të pavarësisë së kushtëzuar", e cila do të lidhej me procesin e kryerjes së reformave të nevojshme, sipas ndërkombëtarëve, "për të merituar mëvetësinë e plotë". Kjo është më shumë një sfidë teknike e shtrirë në kohë, që veç të tjerash do të varet dhe nga fuqia apo zbehja e forcës së vetos së Rusisë në rrethanat e reja që do të krijohen në kohë, për të kundërshtuar apo pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësinë e saj në OKB, në këtë institucion të rëndësishëm botëror. Sidoqoftë, deri atëherë koha do të bëjë të vetën dhe e ardhmja e Kosovës së pavarur, si një vend anëtar i OKB-së, do të realizohet. Veçse, përballimi i dy sfidave të para për "ta fituar paqen" përfundimisht ka rëndësi jetike për Kosovën, për tërë qytetarët e saj, për tërë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Ora e pavarësisë erdhi dhe Kosova do të duhet të tregojë se është një kampione e paqes.