Fluks njerëzish të përlotur në doganën e Morinit
Pavarësia e pritshme e Kosovës vazhdon të entuziazmojë të gjithë shqiptarët. Qytetarë nga të katër anët e Shqipërisë janë të paduruar për ta përjetuar së bashku me kosovarët pavarësinë dhe prandaj një numër gjithnjë e në rritje njerëzish po udhëtojnë drejt Kosovës, me flamuj kuqezi dhe me lot gëzimi. Në 24 orët e fundit, fluksi i lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve në doganën e Morinit ka shënuar shifra të larta. Vetëm në mëngjesin e së shtunës kanë hyrë në Kosovë mbi 1500 persona nga Tirana, Durrësi, Vlora, Berati etj., të cilët janë shprehur se shkojnë për të festuar pavarësinë. Një pjesë e tyre tregojnë se kanë pritur kosovarët në kohën e luftës në vitin 1999, ndërsa të tjerë udhëtojnë thjesht se ndjehen të ekzaltuar nga kjo ngjarje që popujt e përjetojnë vetëm një herë. Një grup grash dhe burrash nga Tirana u shkrehën në lot kur po jepnin për gazetarët emocionet që ndjenin që po hynin në Kosovë për të festuar bashkë me njerëzit e tyre të një gjaku pavarësinë. Arta, Besiana, Diana... thonë se: "Jemi në ditën me të lumtur. Njerëzit që jetojnë çaste të tilla janë me fat, sepse këto jetohen vetëm një herë. Është derdhur shumë gjak për të mbërritur deri këtu...". Kështu u shpreh gruaja nga Tirana, e cila kishte porositur për familjet kosovare ku do të shkonte disa flamuj kombëtare. Një burrë nga Lushnja tregon se kishte ikur nga Kosova në moshë të mitur në vitet ‘40, kur familja ishte përndjekur nga serbët. "Më duket se do të ringjallen gjyshërit e mi të vrarë dhe xhaxhallarët e masakruar në masakrën e Tivarit...", thotë i emocionuar Vehbi Bashota, 72 vjeç, me origjinë nga Malisheva. Edhe banorët e Kukësit, të qytetit që hyri në histori me bujarinë dhe solidaritetin e treguar gjatë luftës së ‘99-ës, ndjehen të kënaqur dhe e shprehin secili në mënyrën e vet. Një numër shumë i madh njerëzish kanë udhëtuar në Prizren dhe qytete të tjera për të ndarë me kosovarët emocionet e jashtëzakonshme të ditës së madhe të pavarësisë. Edhe autoritetet vendore dhe drejtues institucionesh kanë udhëtuar në Kosovë, ndërsa vetë qyteti i Kukësit është mbushur me flamuj kombëtarë.