E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë-Prishtinë, të dy kryeqytetet në festë për pavarësinë

Kryeqyteti shqiptar do të gëzojë sot në një ditë festive të mbuluar nga e kuqja e flamurëve kombëtarë. Pavarësia e Kosovës, që pritet të shpallet në mesditë në ambientin kuvendor në Prishtinë, njëherazi do të brohoritet edhe në Tiranë e mbarë Shqipërinë.

Bashkia e Tiranës ka ftuar të gjithë qytetarët që të solidarizohen dhe të ndajnë gëzimin me shqiptarët e shtetit më të ri, Kosovës. Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" do të shkëlqejë mes valëzimit të flamujve kuqezi që janë ngritur në shtizë duke pritur momentin e shumëpritur. Atmosfera festive do të ngrohet edhe nga aktivitetet kulturore të programuara nga ana e pushtetit vendor. Sipas drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, banda e qytetit do të interpretojë himnin kombëtar që në orën 10:00 të paradites së sotme, duke çelur festimet për të gjithë. Belinda Balluku, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në bashki, u shpreh dje se të gjitha ansamblet e qytetit do të dalin në rrugët e qytetit, për të sendërtuar tonet e festës. Ajo theksoi se mjaft i rëndësishëm dhe interesant do të jetë edhe një koncert i madh që do të zhvillohet në qendër, e pikërisht në sheshin "Skënderbeu". "Ky koncert i madh do t‘u bashkëngjitet festimeve në Prishtinë dhe të dyja shtetet do të shkrihen në një festë shumë interesante", u shpreh Balluku. Në emër të qeveritarëve të pushtetit vendor kryeqytetas, ajo ka ftuar të gjithë banorët që të ofrojnë momente lirie dhe argëtuese në këtë hapësirë, që do të quhet "Shëtitorja e lirisë". "Ju ftojmë të gjithë, bashkë me fëmijët tuaj, të gjendeni në rrugët e Tiranës si një shenjë solidariteti në këtë ditë të shënuar", u shpreh drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Tiranës.

Rrugët e Tiranës si rrallë ndonjëherë do të zbrazen nga makinat për t‘u lejuar lëvizjen e lirë qytetarëve në këtë ditë feste. Pa qarkullim automjetesh do të jetë jo vetëm bulevardi qendror në kryeqytet, por edhe pjesa më e madhe e rrugëve të tjera. Do të lejohet vetëm qarkullimi i makinave për raste emergjence. Drejtuesit e bashkisë kanë kërkuar sërish mirëkuptimin e qytetarëve, si dhe bashkëpunimin e tyre që gjithçka të shkojë më së miri në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu, përfaqësuesit e pushtetit vendor kryeqytetas kanë vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit që ka marrë përsipër të garantojë ruajtjen e rendit dhe qetësisë në këtë ditë. E në mënyrë të veçantë është përshëndetur edhe puna e Policisë Rrugore, që sipas Ballukut ka një detyrë të vështirë, por që do të ndihmohet edhe nga qytetarët. A. Rr.

Programi i aktiviteteve

Ora 10:00, hapet sipari i festës me bandën frymore që do të interpretojë himnin e flamurit dhe një repertor të pasur shqiptar.

Ora 17:30, koncert i madh festiv në sheshin "Skënderbej", që do t‘u bashkëngjitet festimeve të njëkohshme në Prishtinë.

Gjatë gjithë ditës ansamble të ndryshme muzikore do të interpretojnë përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit".

Në tetë orët e shëtitjes së lirisë ftohen të gjitha grupet e këngëtarëve, instrumentistët klasikë e popullorë të gjejnë këndin e të luajnë në liri të plotë muzikën e tyre, ashtu sikundër janë ftuar të gjithë shitësit e produkteve ushqimore e të pijeve freskuese të gjejnë këndin e tyre dhe pa asnjë leje apo tarifë të ofrojnë produktet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›