Policia "blindon" Tiranën për pavarësinë e Kosovës
Policia e Shtetit kalon në gatishmëri nr. 2 për festimet e organizuara në Tiranë për festën e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa policia e Tiranës ka blinduar rrugët e kryeqytetit me rastin e ditës së sotme. Kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të festimeve masive që do të zhvillohen në Tiranë me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është e angazhuar për përballimin e masave, për garantimin e rendit e sigurisë publike, si dhe normalizimin e trafikut në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës. "Për të festuar këtë ditë të shënuar, duke filluar nga ora 09:00 e ditës së diel, janë marrë masa për të bërë bllokimin e shumë segmenteve rrugore, që janë të lidhura me qendrën e Tiranës", deklaroi Policia e Shtetit. Sipas uniformave blu, këto masa do të jenë pothuajse gjatë gjithë ditës, ndërkohë që masa të tjera do të merren edhe për parkimin e automjeteve. "Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për mosparkimin e mjeteve, duke filluar nga ora 24:00 të ditës sotme (dje), në disa akse rrugore", shtoi policia, duke detajuan si zona të ndaluara që nga sheshi "Nënë Tereza", përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", kompleksi "Tajvan", hotel "Dajti", sheshi "Skënderbej", Rruga "Lek Dukagjini", Sheshi te Banka, përreth Muzeut Kombëtar dhe deri te bulevardi "Zogu I". Më tej, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se në rast konstatimi të automjeteve të parkuara në segmentet rrugore të sipërcituara, shërbimet e policisë rrugore do të marrin masa për spostimin e tyre. "Të gjitha komisariatet e policisë, Patrulla e Përgjithshme, strukturat e posaçme të hetimit të krimit, të ndara sipas juridiksionit e vendeve të tyre të shërbimit, janë të angazhuara për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe në mbështetje të policisë rrugore për normalizimin e qarkullimit", detajoi policia. Më tej, është thënë se në rastet e emergjencave, në dispozicion do të jenë numrat telefonikë pa pagesë, 126 dhe 129, ku shërbimet e policisë do të vijnë menjëherë sipas vlerësimit të ngjarjeve për marrjen e masave të nevojshme e dhënë ndihmesën në çdo rast të evidentuar. Policia, në bashkëpunim me struktura të tjera në Ministrinë e Brendshme, ka planifikuar dhe po ndjek me precedencë një sërë masash dhe detyrash me karakter specifik për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë publike. Sipas informacioneve zyrtare, masa të veçanta janë planifikuar në drejtim të krijimit të grupit të koordinimit operacional, të përbërë nga drejtues të strukturave të drejtorisë dhe komisariateve të Tiranës, me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen në kohë të çdo lloj tendence kriminale. Gjithashtu, policia deklaroi se po punohet për rritjen e prezencës policore në ambiente publike për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike në të gjithë territorin e kryeqytetit. "Forcat policore kanë hartuar plane edhe për shtimin e shërbimeve të njëpasnjëshme me dhe pa uniformë, në shkolla, tregje e vende të tjera. Gjithashtu, masat janë përgatitur për përforcimin e shërbimeve aktuale, për sigurimin e ambasadave, rezidencave të tyre, si dhe objekteve të rëndësishme shtetërore dhe private", detajuan zyrtarët e policisë. Sipas tyre, po organizohen shërbime edhe për sigurimin e zhvillimit normal të aktiviteteve masive me karakter kombëtar.
Segmentet e bllokuara rrugore
- Në Rrugën e Elbasanit bllokohet lëvizja e automjeteve në drejtim të bulevardit kryesor
- Në rrugën "Asim Zeneli", "Dervish Hima" deri te Liceu, bllokohet lëvizja e automjeteve në drejtim të bulevardit kryesor
- Fakulteti Filologjik, nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në drejtim të kodrave të liqenit artificial
- Në Sauk nuk do të lejohen autobusë e furgonë të hyjnë në Tiranë
- Në kryqëzimin e "Hoxha Tasim", "Farmacia 10", "Siri Kodra", bllokohet lëvizja në drejtim të qendrës
- Te stacioni i trenit, te kryqëzimi "Don Bosko", deri te sheshi "Rilindja" do të bllokohet lëvizja e mjeteve në qendër të Tiranës
- Në kryqëzimin e "21 Dhjetorit", tek ura "Vasil Shanto", te kryqëzimi "Komuna e Parisit", te "Mapo 6", te "Garda e Republikës" dhe diga e liqenit artificial, nuk do të lejohet hyrja e automjeteve në drejtim të qendrës
- Në Kryqëzimin e Ministrisë së Drejtësisë, te Banka, Radio e Vjetër, muzeu, kryqëzimi i Gjykatës së Lartë, kryqëzimi i rrugës "Sami Frashëri" me rrugën "Myslym Shyri", midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, nuk do të lejohen mjetet të hyjnë në drejtim të qendrës e bulevardit "Dëshmorët e Kombit"
- Te "Vodafoni", "Libri Universitar", Presidenca, dy kullat, Ura e Dajtit, nuk do të lejohet hyrja për në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"
- Ura e drejtorisë, rruga "Sami Fashëri", nuk do të lejohet hyrja e automjeteve në drejtim të bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke dhënë lëvizje të detyruar në drejtim të rrugëkalimeve përgjatë bulevardit "Zhan Dark" për tek ura "Vasil Shanto"
- Në sheshin "Nënë Tereza", përpara universitetit, nuk do të lejohet hyrja e automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke dhënë lëvizje të detyruar në drejtim të rrugëkalimeve të Gardës së Republikës