E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, Islami kërkon takim Berisha-Rama

Opozita ka akuzuar Presidentin e Republikës, Bamir Topi, se po bëhet pengesë për realizmin e reformës në sistemin e drejtësisë. Shkak i akuzave këtë herë ka qenë vendimi i dy ditëve më parë nga KLD-ja për ndërprerjen e ushtrimit të detyrës së 14 gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit. Deklarata është bërë nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila gjatë një komunikimi me median ka shprehur shqetësimin e PS-së në lidhje me vendimin e fundit të KLD-së. Sipas opozitës, vendimi i KLD-së ka qenë në mënyrë të kundërligjshme dhe jo kushtetuese, sepse, sqaron Leskaj, në asnjë dispozitë ligjore të ligjit për organizimin e drejtësisë apo ligjin për KLD-në, nuk parashikohet kufizimi i mandatit apo i kohës së ushtrimit në detyrë nga ana e KLD-së. Leskaj ka theksuar më tej se KLD-ja ka marrë në dorë rolin e ligjvënësit duke dalë përtej kompetencave që i jep Kushtetuta e Shqipërisë. "Kjo ndodh në një moment kur ligjvënësit po miratojnë projektligjin që i jep përgjigje përfundimtare ligjore problemit të mandatit të kryetarëve të gjykatave, duke marrë në konsideratë edhe mendimin e KLD", është shprehur Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së ka ngritur disa shqetësime të opozitës. E para ka të bëjë me shkeljen e të drejtave ligjore e profesionale të njerëzve në drejtësi. E dyta me frymën deformuese ndaj një sistemi që aq sa ka nevojë të reformohet aq ka nevojë edhe të ruhet nga deformime të kësaj natyre. E treta me rolin e Presidentit në këtë proces ku ndihet qartë një trajektore e kundërt me atë të Parlamentit dhe i shkohet ndesh frymës që politika po ndërton përmes Paktit Kombëtar për Reformën në Drejtësi. Ndaj për të ruajtur balancat dhe konsensusin e arritur në politikë për reformën në drejtësi, opozita ka kërkuar që Presidenti të bëhet garant i Kushtetutës e të mbështesë frymën e bashkëpunimit mes partive dhe jo ta minojë atë duke lejuar këto spastrime që janë jashtë çdo standardi për një vend demokratik. Gjithashtu, Leskaj ka theksuar se PS-ja mbron bindjen se reforma në drejtësi përpara se të jetë çështje emrash që duhen ndryshuar, është çështje mekanizmash e standardesh që duhen përmirësuar në sistem. "PS dhe grupi i saj parlamentar i kërkon Presidentit Topi të mos kthehet në pengesë për Parlamentin e as në një problem për opozitën, e cila, duke e pasur fare të qartë se ai nuk është President mbi palët, ka të drejtë të shqetësohet kur një mazhorancë nga njëra anë ulet në tryezë për reformën, nga ana tjetër vijon aksionin e saj deformues", është shprehur Leskaj. Gjithashtu, ajo i ka kërkuar Presidentit Topi që të shprehet publikisht për Paktin Kombëtar për Drejtësi dhe nëse ai e përkrah idenë e këtij konsensusi të veprojë në frymën e tij dhe të kontribuojë për forcimin e kësaj fryme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›