E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcohet lufta kundër pastrimit të parave, komisioni miraton ndryshimet ligjore

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Nën drejtimin e kryetarit të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u zhvillua mbledhja e radhës, ku u shqyrtuan dhe u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi katër projektligje të rëndësishme.

Për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’”, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, theksoi se qëllimi është mbrojtja e sistemit financiar dhe e ekonomisë nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues dhe duke kontribuar në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare.

Projektligji për ratifikimin e protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, i paraqitur nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, synon vendosjen e një mekanizmi të pavarur dhe të detyrueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve.

Po ashtu, u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së financimit me Cassa Depositi e Prestiti S.p.A. për “Përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019”, i cili synon rindërtimin dhe modernizimin e linjave të tensionit të ulët dhe të mesëm në qarqet Durrës dhe Shkodër, ku e ftuar për të diskutuar mbi këtë projektligj ishte zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali.

Gjithashtu, komisioni miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin teknik 2024, për projektin “Green Vjosa (Vjosa e Gjelbër) zhvillim rajonal i gjelbër dhe gjithëpërfshirës në zonën e ujëmbledhësit të Parkut Kombëtar të Vjosës”.

Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Elda Xhumari, u shpreh se projekti përqendrohet në ruajtjen e biodiversitetit, promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik lokal, duke mbështetur komunitetet dhe garantuar ekuilibrin midis mjedisit dhe ekonomisë.

Të katër projektligjet u miratuan unanimisht nga anëtarët e komisionit, duke e përmbyllur mbledhjen me sukses.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›