E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Vijon shembja e banesave mbi kanalin e ujërave të larta në Vlorë


TIRANË, 31 mars/ATSH/ Në Vlorë vijon puna për prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kanalin e ujërave të larta.

Ky aksion i ndërmarrë me nismë të kryebashkiakes Brunilda Mersini synon të zgjidhë një nga problemet më të vjetra të qytetit, atë të përmbytjeve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga puna për prishjen e banesave për rikthimin e funksionit të kanalit të ujërave të larta në territorin e bashkisë Vlorë.

Qëllimi sipas autoriteteve vendore është shmangia e përmbytjeve që janë përsëritur sidomos gjatë dimrit dhe përmirësimi i infrastrukturës urbane në qytetin bregdetar.

Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini tha sot për mediet se “ky kanal është shumë i rëndësishëm për menaxhimin e përmbytjeve në Vlorë. Prej shumë vitesh ka qenë i parehabilituar  dhe projekti i bashkisë synon pastrimin total. Ka pasur pengesa, pasi ka pasur ndërtime mbi kanal të bëra pas viteve ’90, por edhe me vonë, diku kanë edhe dokumentacione pronësie dhe disa pa leje. Duke pasur mirëkuptimin e qytetarëve kemi ofruar bonus qiraje, në mënyrë që të lehtësohet procesi i lirimit të hapësirave dhe vijimi i punimeve”.

Puna për prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kanalin e ujërave të larta në Vlorë do të vijojë me intensitet, me qëllim që qyteti bregdetar të mos përballet më me situatat e përmbytjeve, që janë regjistruar gjatë stinës së dimrit.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›