E Diel, 1 Nëntor 2026

Ftesa per NATO dhe "reforma e padrejtesise"

Reformën në drejtësi nuk e bën të domosdoshme marrja nga Shqipëria të një ftese për t‘u anëtarësuar në NATO, por fakti i hidhur se mungesa e një sistemi të pavarur e të shëndetshëm drejtësie, ka qenë dhe mbetet rrënja kryesore e traumave, vuajtjeve, kolapseve dhe konflikteve që po përjeton Shqipëria gjatë shtegtimit të pafund drejt Evropës. Gjithashtu, rasti i Shqipërisë provon edhe një herë, se nuk mund të ketë demokraci pa pushtet të pavarur të Drejtësisë. Mungesa e drejtësisë së pavarur ishte në themel të krizës së piramidave në vitin 1997, si paralizim i ligjit nga politika. Mungesa e drejtësisë është po ashtu në themel të konfliktit pa mbarim politik mes partive dhe lidershipeve, si paralizimi i Kushtetutës nga politika.

Eshtë po mungesa e pavarësisë së drejtësisë nga politika dhe qeveria, një nga shkaqet e korruptimit kaq të rëndë të drejtësisë dhe vetë qeverisë. Sepse, asnjë qeveri nuk mund të mbrojë korrupsionin e saj, në rast se nuk i heq pavarësinë drejtësisë dhe gjykatave. Dhe t‘i heqësh pavarësinë apo ta skllavërosh drejtësinë, do të thotë ta korruptosh ose e shprehur ndryshe, ta detyrosh të heqë dorë nga misioni i saj për zbatimin e ligjit. Prandaj, edhe reforma në drejtësi nuk mund të jetë as më shumë dhe as më pak, por pavarësimi i drejtësisë, i institucioneve të saj dhe gjykatave, nga tutela dhe prangat e qeverisë në veçanti e politikës në përgjithësi.

***

Kriza e shtetit shqiptar ka një emër: skllavërimi i drejtësisë. Shteti mund të dalë nga kriza ose duke e ndrydhur edhe më drejtësinë, ose duke i dhënë liri asaj. Në rastin e parë ecet drejt llojeve të despotizmit, tiranisë, Lindjes, në rastin e dytë drejt demokracisë, lirisë, Perëndimit. Në rastin e parë krijohet një shtet pa drejtësi dhe në të dytin një shtet me drejtësi. Reforma në drejtësi është udhëkryqi. Nga do të ecë Shqipëria? Qeveria deklaron se dëshiron të ecë drejt Perëndimit, drejt NATO-s. Por është një zhvillim ky që bie ndesh me praktikat e derisotme autoritariste të saj për kapjen e të gjitha institucioneve dhe pushteteve, përfshirë drejtësinë. Kjo qeveri, mazhoranca dhe lidershipi i saj, që premtojnë sot pavarësi për drejtësinë, është fajtorja kryesore e korruptimit të këtij pushteti në nivelin politik.

Eshtë ky një lloj korruptimi që ndodh kur shumicat në legjislativ, në bashkëpunim edhe me ekzekutivin, hartojnë ligje dhe instalojnë praktika apo mjete "të ligjshme" presioni, që e shndërrojnë pushtetin e drejtësisë si një copëz plastelinë në duart e këtyre dy pushteteve të tjera. Pas kësaj, pushteti i drejtësisë heton ose nuk heton, jep drejtësi ose nuk jep drejtësi në përputhje me interesat e qeverisë dhe shumicës së saj parlamentare. Krijohen liderë, qeveritarë dhe pushtete që qëndrojnë mbi ligjin e drejtësinë. Parimet e ndarjes së pushteteve dhe i barazisë para ligjit shkelen e bashkë me to, edhe demokracia, sepse këto parime janë themeli i demokracisë.

Ky është modeli i "pushtetit të drejtësisë pa pushtet", model që është zbatuar në këto 18 vjet tranzicion dhe vazhdon të zbatohet në Shqipëri. Sepse, a nuk shfaqen ngurrimet e prokurorisë për ta quajtur skandalin e Rrëshen-Kalimashit me emrin e tij të vërtetë, si simptomë e këtij nënshtrimi? A nuk është qartazi zvarritja nga Gjykata Kushtetuese e vendimit për Sollakun, produkt i frikës dhe jo i lirisë së saj? Një reformë e vërtetë në drejtësi duhet të synojë që kjo situatë të ndryshojë rrënjësisht. Ajo duhet të bëjë që jo hetuesit dhe gjyqtarët të dridhen para politikanëve, por që politikanët e korruptuar të dridhen para gjykatësve. Ajo duhet t‘i shndërrojë juristët, prokurorët dhe gjykatësit nga të "punësuar" të mjerë të politikës, në të punësuar krenarë të ligjit dhe drejtësisë. Reforma duhet t‘i shndërrojë juristët, avokatët, prokurorët, ashtu sikundër ishin juristët që krijuan shekuj më parë demokracinë e SHBA-së, një klasë "politike" më vete, që kanë për "parti" vetëm Kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e njeriut. Në rast se reforma nuk arrin ta bëjë këtë, ajo nuk do t‘i shërbejë demokracisë dhe përparimit të Shqipërisë, edhe pse momentalisht mund të shërbejë si një garniturë e bukur për të marrë një ftesë për në NATO.

Ndërkaq, a duhet sakrifikuar thelbi i reformës në drejtësi, kur duket se Shqipëria do ta marrë një ftesë për në NATO jo për shkak të performancës së saj mjaft të varfër "demokratike", por për shkak të konsideratave të tjera gjeopolitike? Vërtet besohet se ftesa do të merret sepse pozita, me ndihmën "konsensuale" të opozitës e "gënjejnë" NATO-n për "reformën në drejtësi"? Qeverisë i leverdis qëndrimi tolerant i opozitës, sepse duke marrë konsensusin e saj për reformën në drejtësi, qeveria përpiqet të trukojë gjithë ato plagë që i ka shkaktuar këtij sistemi me autoritarizmin e saj. Por çdo të ndodhë më pas, kur pas marrjes së ftesës, NATO dhe BE të zmadhojnë lupën mbi zbatimin e standardeve demokratike në Shqipëri? Sepse, duhet ditur që puna nuk mbaron me marrjen e ftesës për në NATO. Përkundrazi, ajo nis aty. Shqipërisë do t‘i duhen ndoshta (nëse gjërat shkojnë mirë) edhe nja dy vjet për t‘u anëtarësuar. Kjo do të jetë një periudhë prove shumë serioze. Por çdo të bëhet nëse konstatohet se ashtu sikundër në gjithë këta vjet, prokuroria vazhdon të mbetet e pafuqishme për të sulmuar korrupsionin e të fuqishmëve të politikës? Çdo të bëhet nëse shohim përsëri Gjykatën Kushtetuese të fshihet pas procedurave dhe të zvarrisë me muaj e vite, një vendim që nuk i shkon për shtat pushtetit, pra të shohim këtë institucion, që është (me Kushtetutë) garant i Kushtetutës, të mos ketë kurajo të mbrojë Kushtetutën përballë kërcënimeve të fshehta të qeverisë ose, "ta mbrojë" Kushtetutën pas të vjelash? Cila drejtësi do të ndëshkonte këtë tradhtim të Kushtetutës dhe qytetarëve, interesat e të cilave ajo sanksionon, cila Evropë do ta pranonte duke mbyllur sytë, cila NATO? Asnjë. Në këto kushte, Shqipëria do të merrte sot një ftesë për në NATO, duke rrezikuar seriozisht marrjen më pas të një bilete për të hyrë në NATO.

***

Pozita dhe opozita po konsumojnë një mjaltë konsensusi për reformën në drejtësi. Por, a po zhvillohet ajo e tillë? A është vërtet ligji për gjyqësorin ai që mundëson pavarësinë e tij reale dhe i mbyll të gjitha të çarat nga mund të depërtojnë influencat e pushteteve të tjera dhe të qeverisë? Apo është një hipokrizi sa për të kaluar radhën dhe që më pas mund të shndërrohet në një bumerang shumë të rrezikshëm për demokracinë? Këto dilema duhet të marrin një përgjigje të qartë tani. Dhe bëhen edhe më të ankthshme kur sheh mospajtimet mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë (pra të qeverisë së drejtësisë me qeverinë), lidhur me ligjin në fjalë dhe reformimin e drejtësisë në përgjithësi. Opozita bën mirë që mbështet reformën në drejtësi. Por ajo nuk duhet të lejojë që nga e gjithë kjo histori, të dalë në fund një ligj që e lufton autoritarizmin me brirë të qeverisë vetëm me nene, por e lejon me vepra.

Opozita duhet t‘i qëndrojë besnike paktit të vet të shpallur me gojën e Edi Ramës, thelbi i të cilit është çlirimi i drejtësisë nga politika. Dhe nuk duhet të harrojë se ka përballë një qeveri, një shumicë dhe një pushtet, që deri më sot kanë bërë gjithçka për ta vënë prokurorinë nën thundrën e tyre. Ndaj opozita nuk duhet të bëjë gabimin që për hir të ftesës në NATO, të tolerojë që "reforma" të jetë faza e dytë e kapjes nga qeveria të pushtetit të drejtësisë, duke kapur tani edhe gjyqësorin. Mos po ndodh pikërisht kështu? Sepse si shpjegohet fakti që nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, deklaron se projektligji për organizmin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor "nuk sjell asnjë risi apo ndryshim rrënjësor". Kjo është një deklaratë shumë serioze, që në fakt pohon se nuk po ndodh asnjë "reformë". Dhe është krejt e kundër me atë të ministrit Alibeaj, që deklaroi se projekti "përcakton standarde të papara ndonjëherë". Përse KLD-ja, që është qeveria e gjyqësorit, është e pakënaqur me ligjin në fjalë dhe qeveria, në anën tjetër, shfaqet e ekzaltuar? Mos vallë ngaqë ambiciet autoritariste të pushtetit nuk preken nga "reforma"? Dhe kush ka thënë se Shqipërisë i duhen "standarde të papara" për gjyqësorin si ato që përmend Alibeaj? Na duket se është krejtësisht e kundërta pra, që Shqipërisë i duhen për gjyqësorin standarde "të para" në Perëndim dhe pikërisht, se ka mbetur ende me "standarde të papara" atje.

Çështja është që të shfrytëzohet dobësia e qeverisë, nevoja politike që ajo ka për marrjen e ftesës, për t‘i imponuar realisht dhe pakthyeshmërisht reformën. Kjo reformë, ndërsa duhet ta ndihmojë qeverinë të marrë një ftesë për në NATO, duhet të ketë edhe një kosto për qeverinë, që është humbja e sundimit mbi gjyqësorin dhe drejtësinë. Kjo do të qe fitorja e vërtetë. Sepse ftesa për në NATO do të qe edhe ftesë për të hyrë në botën e ligjit dhe të lirisë. Ndërkaq, të çlirosh drejtësinë nga thonjtë e qeverisë, do të thotë ta shpëtosh Shqipërinë nga kryekanceri i fatkeqësive të saj. Dhe ky është mbi të gjitha mision i opozitës, ndërkohë që qeveria po i mban ende çaponjtë ngulur në mishrat e drejtësisë. Askush të mos rrejë veten. Vetëm nevoja politike e bën qeverinë të deklarohet sot sikur është e gatshme të largojë kthetrat nga drejtësia, sepse, ndërkaq, nuk i pushon përpjekjet për të ruajtur mundësinë që ta bëjë zap "me ligj" drejtësinë nesër, pas marrjes së ftesës. Këtë e dëshmon edhe debati mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ndaj opozita nuk duhet të mallëngjehet shumë nga lavdet e pushtetit për konsensusin e saj. Ajo duhet të dëgjojë më me kujdes edhe pakënaqësitë për "reformën", madje edhe klithmat që po vijnë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në të kundërtën, do të jetë nesër ajo që do të klithë për mungesë drejtësie, por nuk do ta dëgjojë më njeri. Do vuajë padrejtësitë e pushtetit si bashkautore e me të në "reformën e padrejtësisë". E bashkë me të edhe populli, drejtësia dhe demokracia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›