E Diel, 1 Nëntor 2026

Paskuintat e "Vitit Puçinian"

Drejtori artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit, Kujtim Vorpsi, i emëruar në këtë post 5 muaj më parë, është ndër mbështetësit kryesorë të praktikës së re në institucion, ku një bord artistik, jo thjesht këshillimor, por vendimmarrës, do japë miratimin përfundimtar për pjesët e përzgjedhura për repertor, si dhe kalendarin sezonal. Kështu, sipas tij, repertori fiton një rëndësi të madhe, duke u bërë çështje institucionale, pa mbetur peng i një vendimmarrjeje të vetme (e drejtorit të përgjithshëm në këtë rast), me ç‘shkas do mbetej dhe peng i atij që i propozon dhe i promovon këto shfaqje. Bordi, sipas Vorpsit, jep mundësinë e një hapjeje ndaj projekteve të sa më shumë prurjeve e të një debati sa më të gjerë për të bërë të mundur zgjedhjen e një repertori sa më cilësor dhe zgjidhjen e disa çështjeve kyçe në TOB. Prej tyre, shprehet Vorpsi, është fakti paradoksal që kryeveprat e mëdha që vihen në skenë nuk mbesin më pjesë e repertorit. Eshtë e vërtetë që në skenën e TOB-it janë vënë premiera të përmasave botërore dhe përmenden "Aida" e Verdit, apo "Liqeni i mjellmave" i Çajkovskit. Te kjo e dyta, për shembull, skenografia e kostumet kanë qenë të jashtëzakonshme; kanë qenë mrekulli më vete. Por, ato nuk mund të jenë më për të mbetur në repertor, duhet që të merren borxh, ose me qira. Tjetër çështje, që sipas drejtorit artistik Kujtim Vorpsi duhet të zgjidhet nga bordi, është ajo e financimeve dhe e donacioneve, të cilat duhet të jenë transparente. Madje, në këtë pikë, ai përmend shembullin e disa teatrove të huaja, ku siç thotë në faqet e tyre të internetit, përveçse është vënë kalendari, janë edhe marrëveshjet e financimet. Në vizionin e Vorpsit, bërja publike e financimeve do i yshte më tepër kompanitë e biznesit që të mbështesnin operën. Nga ana tjetër, ai vlerëson idenë e hedhur nga drejtori i përgjithshëm, Zhani Ciko, për një detyrim ligjor karshi bizneseve për të mbështetur Teatrin e Operës dhe Baletit. Kjo, sipas një praktike në disa vende, ku një biznesi i vihet si detyrim një lloj takse, e cila një përqindje e saj shkon për operën. Vorpsi është i mendimit se kjo praktikë duhet të nisë të aplikohet dhe në vendin tonë.

Drejtori artistik i TOB-it që nga shtatori i kaluar, Kujtim Vorpsi, prej afro 30 vjetësh është në organikën e këtij institucioni si violinçelisti i parë në orkestër dhe ndërkohë, instrumentin nuk e ka lënë duke bërë paralel dhe shefin artistik. Ai është emëruar nga ministri i Kulturës, sipas statutit të ri që po zbatohet, lidhur me emërimet për të cilin ka dhënë shumë propozime, ku një prej tyre ka qenë dhe ky: që drejtori i përgjithshëm të emërohet nga Kryeministri, si për t‘i dhënë prestigj më të madh këtij posti të lartë, ndërkohë që shefat e drejtorive të tjera, siç është dhe ai vetë, të emëroheshin nga kreu i dikasterit të kulturës, siç dhe ka ndodhur. Pra, Vorpsi ka qenë dhe është nga njëra anë për rritjen e emrit dhe prestigjit të drejtorit të përgjithshëm, e, nga ana tjetër, për zhveshjen nga disa kompetenca në emërime dhe në përcaktimin e repertorit, që, sipas tij, e decentralizojnë dhe në një farë mënyre e demokratizojnë vijueshmërinë e punëve në institucion.

Si shembull të propozimeve të tij racionale dhe në rastin e rolit vendimmarrës që duhet të ketë bordi, që deri më tani ka qenë këshillimor, pjesëtari i së cilit ai është prej vitesh, Vorpsi jep faktin se ai ka sugjeruar që një anëtar i bordit të mos ketë të drejtë vote, nëse është funksionar në institucion. Dhe konkretisht, ai nuk e ka këtë të drejtë vote, sipas propozimit që ka bërë vetë dhe për këtë është i bindur në drejtësinë e idesë së tij. Përndryshe thotë, do kishte akuza për konflikt interesash.

Këto ditë, mbi tavolinën e punës, drejtori artistik i TOB-it, Kujtim Vorpsi, ka dhe kalendarin e tij, i cili ende nuk është bërë publik. Veprat e Puçinit dominojnë në këtë kalendar, duke qenë se 2008 është quajtur dhe "Viti Puçinian".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›