E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngërçi i reformës zgjedhore

Jemi në 10-ditorin e parë të muajit shkurt 2008 dhe siç duket, për të tretën herë do të shtyhet mandati i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Kuvendi vihet para faktit të kryer. Ai konstaton mospërmbushjen e detyrës nga komisioni që vetë ka krijuar, por nuk analizon (qoftë edhe për justifikim) pse-në e kësaj zvarritjeje. Por, pavarësisht nga kjo, e keqja nuk qëndron dhe aq në shtyrjen e mandatit, por në faktin se brenda periudhës 8 - 9-mujore nuk janë hedhur hapa konkretë dhe për asnjë çështje nuk është arritur konsensusin që kërkohet. Kjo ngecje në veprimtarinë e këtij komisioni nuk mund të mos krijojë shqetësime dhe pikëpyetje. Pa u ndalur në pretendimet e kësaj apo asaj partie politike të pozitës apo opozitës vlen të përmendet se opinioni shoqëror në tërësi është i interesuar të dijë dhe të informohet në mënyrë transparente çfarë po bëhet me reformën zgjedhore. E them këtë, sepse ky problem ka të bëjë me ushtrimin e një të drejte themelore të shtetasve, siç është ajo e zgjedhjeve periodike. Si i tillë, ai nuk mund të jetë as peng dhe as monopol i një komisioni apo i disa partive politike.

Përfaqësuesit e popullit në organin legjislativ kanë detyrimin të miratojnë ligje që të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që vullneti i zgjedhësve të mos deformohet.

Ka kohë që forcat politike janë shprehur të gatshme për të realizuar detyrën e rëndësishme dhe prioritare, siç është reforma zgjedhore. Inkurajues është angazhimi i tyre për të hedhur hapa konkretë, sidomos para Samitit të Bukureshtit dhe pse për të gjithë është e qartë se puna do të vazhdojë edhe pas këtij Samiti.

Dikush është shprehur se po të ekzistojë vullneti politik, reforma zgjedhore mund të përfundonte edhe brenda 1 apo 2 muajve. Në këtë shprehje ka të një të vërtetë të njohur. Evidentohet rëndësia e vullnetit politik. Por, në të njëjtën kohë ka edhe një të vërtetë të hidhur. Konfirmohet mungesa e vullnetit politik, që jo për 1 apo 2 muaj, por edhe brenda 1 viti në këtë drejtim thuajse nuk është bërë asgjë, veç ekspozimit të këtij apo atij sistemi zgjedhor, por pa konkluduar se cili sistem zgjedhor do të ishte më i përshtatshëm për kushtet e vendit tonë. E shikojmë të nevojshme të përmendim se deri më sot nuk kemi dëgjuar argumente bindëse, se sistemi ekzistues zgjedhor ka penguar arritjen e standardeve, ose ka favorizuar manipulimin e vullnetit të zgjedhësve. Në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, mesa më kujtohet nuk ka pasur objeksione lidhur me sistemin zgjedhor të sanksionuar në nenin 64 të Kushtetutës.

Rekomandime të shumta dhe të rëndësishme janë paraqitur në raportet e OSBE/ODIHR-it mbas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 dhe zgjedhjeve të fundit të organeve të qeverisjes vendore. Sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor janë parashtruar edhe nga organizatat joqeveritare, të angazhuara në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe monitorimin e zgjedhjeve.

Problemet kryesore që duhet të jenë objekt diskutimi dhe debati mendoj se janë të njohura. Në këtë vështrim, nuk ka dyshim se një rol të rëndësishëm do të luajnë forcat politike. Është e kuptueshme se qëndrimet e tyre për këtë apo atë çështje nuk mund të jenë absolutisht të njëjta. Prandaj, kërkohet transparencë dhe lëshime për ato çështje që nuk i cenojnë parimet në të cilat zhvillohen zgjedhjet demokratike. Megjithëkëtë, pa konsensus të gjerë vështirë të bëhen ndryshime në legjislacionin zgjedhor. Ai do të duhej, sidomos nëse do të ishte e nevojshme të amendohej ndonjë dispozitë kushtetuese. Reforma zgjedhore, siç dihet, nënkupton zbatimin e parimeve bazë të sanksionuar në Kushtetutën tonë dhe dokumentet ndërkombëtare, marrjen e atyre masave, përcaktimin e procedurave, saktësimin dhe plotësimin e dispozitave përkatëse ligjore, që do të garantonin zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakonstetuara, si rrjedhim edhe të standardeve që kërkohen. Përvojën negative e njohim. Kjo na imponon ta kemi atë parasysh. Është e nevojshme të mënjanohen interesat e ngushta partiake dhe ndërhyrjet në veprimtarinë e komisioneve zgjedhore. Në këtë drejtim, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat dhe angazhimet. Duhet që me ligj të mbyllen shtigjet dhe mundësitë e ndërhyrjeve të tilla që cenojnë ligjin dhe i vënë komisionerët nën diktatin partiak. Duke pasur parasysh përvojën e funksionimit të komisioneve të mëparshme parlamentare për problemet e zgjedhjeve, mund të sugjeronim nevojën e një pune intensive, por cilësore, duke mos u kufizuar vetëm në tërheqjen e mendimeve të një grupi relativisht të vogël të specialistëve.

Infrastruktura e zgjedhjeve është gjithashtu e një rëndësie të veçantë. Me qëllim që në zgjedhjet e vitit 2009 të votohet me karta identiteti, me regjistër themeltar të plotë, të saktë dhe të kompjuterizuar, si edhe në bazë të sistemit të adresave, mund të sugjerohej nevoja e caktimit paraprak të afateve, si edhe e kontrollit të vazhdueshëm të zbatimit të tyre. Vonesat në këtë drejtim mund të kompromentonin vetë zgjedhjet ose aspekte të veçanta të këtij procesi. E rëndësishme mendoj se është gjithashtu të përcaktohet se si dhe ku do të votojnë emigrantët, kur dhe si do të pajisen ata me dokumente identifikimi etj.

Komisionit të posaçëm parlamentar për reformën mund t‘i sugjerohej gjithashtu që të mos liheshin jashtë vëmendjes edhe dispozitat e kapitullit të Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për referendumet, që edhe pse kanë paqartësi dhe pasaktësi, deri më sot nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim.

Arsye për të qenë euforikë mendoj se nuk ka. Jemi të vonuar. Pranimi publikisht i këtij fakti mund të ishte nxitje për të ndërmarrë hapa konkretë. A do të jemi gati që para një viti apo një vit e gjysmë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 çdo gjë të ketë përfunduar? Nëse nuk i japim përgjigje që tani kësaj pyetje, vonesat e mëtejshme mund të shoqërohen me akuza të ndërsjella, që do të synonin për t‘i vënë gishtin "fajtorit" dhe jo për zgjidhjen e problemit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›